Opinion nga Blendi DIBRA

Prej disa kohësh portalet sportive të qytetit të Shkodrës www.shkodrasport.con dhe www.vllaznia.al po zhvillojnë sondazhe online në lidhje me tema të ndryshme të cilat shqetësojnë opinionin publik sportiv me synimin për të marrë në mënyrë sa më të gjerë opinionin publik në lidhje me çështjet që lidhen me zhvillimin e sportit dhe kryesisht futbollit në qytetin e Shkodrës. Mirëpo përherë e më shumë çështja më delikate dhe më e diskutuar në lidhje me sondazhet e realizuara lidhet me besueshmërinë e tyre, me mënyrën e interpretimit të të dhënave të cilat grumbullohen nga këto sondazhe, sa përfaqësojnë në të vërtetë mendimin e shumicës së opinionit sportiv këto të dhëna, si dhe a janë një instrument në dorë të grupimeve të caktuara për të realizuar objektivat e tyre këto sondazhe të cilat mund të përdoren si mjete presioni në vendimarrje?
Fakti është që nga eksperienca e sondazheve në zgjedhjet partiake në shumicën e rasteve ato kanë treguar që nuk janë të besueshëm dhe të dhënat që ato kanë paraqitur kanë patur një përqindje të lartë gabimi duke shkaktuar një ç’orientim të opinionit publik, duke sjellur zhgënjim dhe mosbesueshmëri të të dhënave të tyre. Në qoftë se në fillimet e tyre ato sondazhe u ndoqën me mjaft interes tashmë opinioni publik në varësi të emrit që i organizon ato sondazhe e ka të qartë pak a shumë se si do të rezultojë mendimi i opinionit sportiv! Prandaj duke ju rikthyer sondazheve sportive ky shkrim merr shkas nga një artikull në gazetën “Sporti Shqiptarë” ku shkruhej që të dy sondazhet e realizuara nga www.shkodrasport.com dhe www.vllaznia.al opnioni publik kishte votuar për trajner të Vllaznisë z.Armando Cungu ndaj rivalit të tij z.Artan Bushati. Mirëpo sapo është publikuar ky shkrim duke klikuar faqet përkatëse të cilat zhvillojnë këto sondazhe rezulton plotësisht e kundërta ku z.Artan Bushati rezulton të jetë më i votuari ndaj kolegut të tij z.Armando Cungu !
Çështja qëndron, a thua vallë kemi të bëjmë me një ndjeshmëri kaq të lartë të opinionit publik i cili ka ndryshuar mendimin e tij apo thjesht me ndjeshmërinë e grupimeve apo individëve të caktuar?
Personalisht mendoj që këto sondazhe nuk kanë besueshmërinë e duhur për të grumbulluar opinionin e vërtetë sportiv duke qene se mundësia e ndërhyrjes nga persona të caktuar duke votuar disa herë është e lartë dhe në këtë mënyrë këto sondazhe nuk mund të përfaqësojnë mendimin e vërtetë as të shumicës së opinionit sportiv. Së dyti edhe në rastin më të mirë duhet te kemi parasysh që shumica e tifozëve të zjarrtë e sidomos grupmosha te caktuara kanë një akses apo përdorim të kufizuar të internetit kështu që mundësia e shprehjes së tyre në këto sondazhe është plotësisht e kufizuar. Ndërsa në rastin më të keq këto sondazhe mund të kthehen në instrumenta mjaft të rrezikshëm të cilët në emër të opnionit publik sportiv mund të manipulojnë opinionin sportiv duke realizuar qëllime të caktuara. Së treti sondazhet duhet të aplikojnë një metodologji e cila krijon mundësinë seicilit jo vetëm të shprehet por edhe të testohet dhe psh. rasti më i fundit në mënyrën më të thjesht ka treguar se ka kufizuar mundësinë shumë figurave të shquara sportive që të votohen. Së katërti krijimi i një klime mosbesimi në opinionin publik në njëfarë mënyrë krijon edhe një bezdisje të figurave të nderuara sportive të cilat bëhen pjesë të këtyre sondazheve duke i detyruar ato jo në pak raste edhe të deklarohen që nuk kanë dëshirë fare që emri i tyre të përmendet ngaqë nuk duan të jenë pjesë e proceseve që nuk kanë integritetin e duhur.
Gjithsesi koncepti i zhvillimit të sondazheve nuk duhet limituar por organizatorët e tyre duhet të kujdesen në mënyrë maksimale për të shmangur mënyrat abuzive të votimit, të krijojnë të gjithë instrumentat e nevojshëm të cilat garantojnë besueshmërinë e publikut si dhe mundësinë e shprehjes në mënyrë sa më të gjere të opionit publik ndofta duke i gërshetuar ato edhe me intervistime dhe sondazhe në terren . Mendoj se përdorimi i sondazheve online është një eksperiencë e re për qytetin dhe vendin tonë prandaj organizatorët meritojnë përgëzime për futjen e kësaj tradite të re por është e rëndësishme që ato t’i kushtojnë të gjithë kujdesin dhe vëmendjen e duhur që këto instrumente bashkëkohore të mos humbasin besueshmërinë e publikut !