Pavarësisht se ka luajtur mirë edhe në Elbasan, këtë herë, Ada nuk ka arritur të dalë me pikë nga ndeshja. Ajo është mundur 0-1 me një gol të shënuar nga Hila në minutën e 58-të por të gjitha komentet që vijnë nga Elbasani, bëjnë të ditur se velipojakët kanë luajtur mjaft mirë madje në fund të ndeshjes ata kanë patur dy raste të pastra shënimi por nuk ia kanë dalë dot.

Trajneri Samuel Nikaj pas ndeshjes është shprehur se ka rezerva për golin e shënuar nga vendasit për të cilin kanë dyshime se ka qenë i parregullt ngaqë lojtari i Elbasanit ka qenë në pozicion jashtë loje. Ajo që ka rëndësi është se skuadra e tij sërish ka bindur në lojë dhe ka lënë përshtypje të mirë edhe në fushën e një skuadre me emër në futbollin shqiptar. Me këtë humbje natyrisht që nuk pritet që morali i skuadrës të bjerë ngaqë Ada ka luajtur mirë dhe e garanton këtë gjë edhe për të ardhmen.