Edhe fillimi i vitit të ri duket se nuk ka sjellë asnjë përmirësim të situatës financiare tek ekipi i Adës së Velipojës. Ai siç dihet, e ka nisur këtë sezon përmes dilemash nëse do mund të merrte pjesë apo jo dhe në fund, ia doli të rregjistrohej. Por problemet vazhduan dhe jo më kot skuadra ndodhet në vendin e fundit të renditjes.
Shpresat se do kishte një përmirësim të situatës duket se janë zbehur plotësisht pasi nuk po shihet asnjë ndryshim për mirë tek ajo. Në rrethana të tilla, sulmuesi kryesor i Adës, Jurgen Gjini mësohet të ketë tërhequr leje- kalimin në klub dhe tashmë duke qenë një futbollist i lirë po sheh mundësi të tjera për t’u sistemuar. Largimi i tij krijon probleme për trajnerin Kreshnik Krepi që vazhdon në fakt të presë përforcime. Megjithatë deri tani asgjë nuk ka lëvizur. Madje, skuadra ende nuk ka nisur stërvitjet. Ajo mendohet të startojë të hënën që vjen por drejtuesit e Adës po hasin vështirësi në gjetjen e një fushe për stërvitje. Presidenti Pjetri po mundohet në maksimum për t’i dhënë zgjidhje të gjithë këtyre gjërave por është i vetëm. Komuna Velipojë duket se edhe për këtë vit nuk ka planifikuar asnjë fond për ekipin e futbollit që e përfaqëson atë. Mosmarrëveshjet në mes palëve vazhdojnë dhe Ada ndjehet e braktisur tërësisht. Nëse Gjini është i vetmi futbollist i larguar deri tani, nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme të ketë të tjera largime por kjo ende nuk mund të thuhet me saktësi. Presidenti Pjetri dhe trajneri Krepi po bëjnë çmos për zgjidhjen e problemeve imediate që ka skuadra për të bërë të mundur fillimisht nisjen e stërvitjes dhe më pas, me shpresën se do të marrin edhe lojtarë të tjerë, kryesisht nga ekipi i Veleçikut por situata deri tani nuk duket shumë optimiste.