Tirana në basketboll për meshkuj fitoi mbrëmjen e djeshmë finalën e tretë të play-off me rezultatin 76-63 ndaj Besëlidhjes, duke rihapur në këtë mënyrë garën për titull. Ndeshja u luajt në pallatin e sportit “Asllan Rusi” dhe u vendos vetëm në periodën e katërt, kur bardheblutë u shkëputën me pikë dhe fituan sfidën.

Pas ndeshjes ndaj Tiranës, trajneri shkodran i Besëlidhjes Afrim Bilali, deklaroi se skuadrës së tij nuk i funksionoi mirë sulmi dhe se gabimet e shumta rezultuan decizive në rezultatin përfundimtar të takimit.

Po ashtu, Bilali u shpreh se ekipi i tij gaboi në shumë raste, por gjithsesi është i bindur plotësisht se do të jetë Besëlidhja ajo që në fund do të shpallet kampione.

“Ishte një ndeshje e bukur, ku basketbollistët tanë u treguan mjaft aktivë në fraksionin e parë, por më pas shumë herë kemi gabuar. Sot skuadra vuajti presionin e finales. Nuk na funksionoi mirë sulmi le të themi që nuk ishim në ditë të mirë.

Megjithatë, ka qenë edhe mbrojtja e Tiranës që ishte më e hekurt. Mund të them se sot fitoi basketbolli, me gjithë këtë atmosferë. Ne dëshironin ta mbyllnim që këtu, por nuk ishte e mundur, sepse gabuam shumë edhe në goditjet në tabelë.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se Besëlidhja do të heqë dorë nga titulli, pasi kemi pësuar vetëm humbjen e parë. Përkundrazi, kemi besim të plotë se ky trofe do t’i takojë Besëlidhjes dhe se do të mundohemi që në finalen e së dielës të shpallemi kampionë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri shkodran i Besëlidhjes, Afrim Bilali.
Maringlen ZHIVANI