Pas vendimit për hapjen e stërvitjeve individuale për sportistët në ambientet e hapura, një përfaqësi e Komitetit Teknik të Ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë zhvilluan një takim me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit për protokollet specifike.

Problemi kryesor që u fol edhe sot, është mungesa e tamponëve dhe mesa u kuptua gjasat janë që të mos ketë testime për futbollistët. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, ngulmoi se klubet i plotësojnë të gjitha kriteret dhe stërvitjet të rinisin sa më shpejt të jetë e mundur.

Nuk u dha një përgjigje për këtë, teksa pritet të mbërrijë shumë shpejt. Për tamponët Shulku tha se ka një dakordësi që të mos ketë, por lojtarët dhe stafet e klubeve të kontrollohen shpesh, në mënyrë që të mos rrezikohet përhapja e virusit.

“Nga grupi ekspertëve ishim të kënaqur me protokollin, i kanë parë me detaje propozimet dhe kanë 2-3 pika të paqarta, por ne i diskutuam tani dhe do jenë prapë pjesë e diskutimeve.

E përgjithshmja është pozitive dh shpresojë për një përgjigje të shpejtë. Pothuajse, të gjitha klubet i plotësojnë kriteret. Pika e parë që kërkuam është rikthimi në stërvitje dhe klubet i plotësojnë kriteret, për mënyrën si do stërviten dhe si do shkojnë në stadium. U diskutua edhe për tamponë që nuk do kete, por do ketë kontrolle. Diskutuam edhe për rinisjen e stërvitjeve më 18 maj dhe shumë shpejt do kemi një përgjigje edhe për këtë.”, tha Shulku.

Presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova, tha se pritet një përgjigje e shpejtë, e cila mund të vijë për çështje orësh ose ditësh. “Takimi ishte në nivel teknik, specialistët e Ministrisë dhe Grupi Teknik që vlerëson situatën ka parë materialet që ne i kemi dërguar. Patëm disa diskutime për të sqaruar edhe disa çështje të tjera dhe të jepet një përgjigje sa i përket masave, protokollit dhe zbatimit të tij në mënyrë që të fillojë kampionati dhe loja sa më shpejtë.

Datë konkrete nuk ka dhe grupi do të punojë, ne e presim sa më shpejt vendimin dhe kjo mund të jetë punë orësh apo ditësh. Sigurisht, duke plotësuar kriteret e kërkuara për të qenë brenda protokollit. Predispozicioni i Ministrisë dhe Grupit Teknik ishte maksimal për t’u rikthyer sa më shpejt me lojën në fushë.”, u shpreh Libohova.

Komiteti Teknik është pajtuar me draft-protokollin sanitar që është propozuar, por do të shihet me kujdes në ditët e ardhshme. Në FSHF e dinë shumë mirë se 18 maji për nisjen e përgatitjeve është një datë që e komplikon kampionatin në vazhdim, por shpresohet që autoritetet të ndryshojnë qëndrim.