Trajneri i kombëtares së minifutbollit të Shqipërisë Alban Hasani që është shkarkuar pasditen e sotme nga Komisioni i Etikës pranë FSHF-së në lidhje me dyshimet ndaj këtij ekipi për komplotim dhe influencim në vendosjen e rezultatit të ndeshjes Shqipëri- Zvicër e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian, nuk ka dashur të flasë gjatë në lidhje me këtë çështje. Në një prononcim të shkurtër për gazetën online www.shkodrasport.com, ai është shprehur: “Jam njoftuar përmes gazetarëve për vendimin e marrë nga Komisioni i Etikës. Në fakt, drejtues të Federatës kanë marrë sinjale për diçka që mund të ketë ndodhur në ndeshjen ndaj Zvicrës dhe më kanë kërkuar informacion se cilët nga futbollistët mund të kenë toleruar.

Përgjigja që kam dhënë unë është se nuk dyshoj tek asnjëri nga futbollistët e mi madje kam qenë i pari që kam kërkuar nga Federata të hapë një hetim për këtë çështje për zbardhjen e saj dhe deri sa të ndodhte kjo, unë jepja dorëheqjen. Megjithatë ata kanë vendosur ndryshe dhe në ditët në vazhdim do sqarohen më shumë gjërat”. Kaq ka thënë Hasani sepse për momentin nuk ka dashur të flasë më tepër. Në fakt edhe kaq vlen sepse vendimi i Komisionit të Etikës për shkarkimin e tij ka lënë vend për keqkuptime se gjoja ai dhe ndihmësi i tij Ramazan Konçi kanë ndikuar në vendosjen e rezultatit të ndeshjes Shqipëri- Zvicër. Por dënimi nuk e ka këtë bazë. Thjesht ata janë shkarkuar ngaqë nuk kanë dhënë emrat e lojtarëve që mund të kenë lëshuar në ndeshje si dhe për faktin që ata si trajnerë kanë qenë të pazotë për ta parandaluar një gjë të tillë.
www.shkodrasport.com