Drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri është shprehur se ky i këtij sezoni do të jetë një kampionat shumë i vështirë, teksa e ka parashikuar si një nga më të bukurit dhe më të luftuarit e viteve të fundit.

Duke folur në emisionin “Sport Zone” në MCN TV, Neziri tha se te Vllaznia kanë bërë një merkato shumë të mirë dhe tashmë e sheh ekipin mes pretendentëve kryesorë për titullin kampion, së bashku me Partizanin.

“Si gjithmonë Vllaznia pretendon për vendet e parë. Këtë vit me ardhjen e presidentit Xhaferi jemi pretendentë kryesorë për titullin. Këtë vit do jetë shumë e vështirë, pasi ka ekipe shumë të mira. Ky do jetë një nga kampionatet më të bukur të viteve të fundit.

Unë besoj që skuadra këtë vit, do bëjë një kampionat shumë të mirë, jam i bindur për këtë. Në Superkupë ishte një ndeshje e mirë deri kur besuam golin e parë. Kështu na ka ndodh gjithmonë, ne shkodranët jemi pak mendjemëdhenj, por na bëri mirë, sepse na ul me këmbë në tokë.

Janë bërë gjërat më të sakta, çdo lojtar ka kontratë 2-vjeçare. Jam i bindur që janë marrë lojtarët që duhen. Mendoj se Vllaznia ka bërë një merkato shumë të mirë. Kampionati do jetë shumë i vështirë. Vllaznia nga nesër do e marrin të gjithë seriozisht, sepse sezonin e kaluar e pamë që seriozisht e morën nga janari.

Partizani më ka lënë mbresa, sepse ka bërë një merkato të mirë. Duke pasur parasysh edhe trajnerin Daja, është një nga ekipet kryesore për titull. Mos harrojmë edhe Egnatian e Maganit, që mund t’i hapë probleme të gjithë skuadrave.”, tha Neziri.

Më tej ai shtoi se është shumë i lumtur që tashmë do të shikojë 3 ekipet e kryeqytetit, Dinamo, Partizani dhe Tirana në Superiore, ndërsa tha se do të udhëtojë nga Shkodra për t’i ndjekur nga afër.

“VAR? Ka vite që në futbollin shqiptar, arbitrat po humbin kampionate dhe kupa Shqipërie, me apo padashje. Do jetë një risi shumë e mirë për kampionatin shqiptar. Shkodra e ka pranuar të gjithë jetën rezultatin. Është natyra dhe kultura jonë, që duartrokasim ekipet që luajnë mirë. Mendoj se me VAR çdo gjë do të sheshohet në futbollin shqiptar çdo gjë. Jam i bindur që do jetë një kampionat shumë i mirë.

Si ish-sportist, është një kënaqësi e madhe për të parë derbin e 3 ekipeve të kryeqytetit. I ka munguar kampionatit shqiptar rikthimi i Dinamos. I falënderoj tifozët e Dinamos që nuk e braktisën skuadrën, ndryshe nga Sali Berishën që e braktisën. (qesh) Jam i bindur që Dinamo nuk ka hyrë në Superiore, sa për të kaluar radhën, por do jenë konkurrues. Do vijmë edhe nga Shkodra të shikojmë derbet, pasi na ka marrë malli për këtë.

Skënderbeu ka bërë një ekip shumë të mirë. Jam i bindur që deri në javët e fundit do ketë shumë rivalitet për titullin, për kupat e Europës dhe për mbijetesën.

Në Shkodër problem është mendjemadhësia. Femrat dje luajtën me Juventusin. Tani në Shkodër kërkojnë grupet. Janë rritur pritshmëritë.

Teuta-Partizani? Me ikjen e Starovës, mendoj se barazimi ka ikur gjithashtu për këtë ndeshje. Sinqerisht më vjen çudi, sepse kur Shakohoxha tha se do kandidonte për president të FSHF, Starova u shpreh se Duka fiton 5-0, nuk e di si ndryshoi mendje. Sot unë e shikoj më shumë një fitore të Teutës. Martini është trajneri më punëtor dhe më me fat.

Do kemi një vjeshtë shumë të bukur, si në politikë ashtu edhe në sport. Mendoj se politika do të jetë më e luftuar.”, përfundoi Alban Neziri.