Kevin Zefi është një emër që, sipas të gjitha gjasave nuk do të thotë asgjë për ata që jetojnë jashtë Dublinit Jugor. Por ai është një emër që, sipas medieve irlandeze, i ka të gjitha ato që duhet për të ecur në gjurmët e brazilianit Ronaldo, Zllatan Ibrahimoviçit apo Andrea Pirlos në ngjyrat e famshme zikaltër të Interit të Milanos.

Zefi, një 16-vjeçar i lindur në Klonsilla në perëndim të kryeqytetit të Irlandës, Dublin, nga prindër shqiptarë me origjine nga Shkodra, ka spikatur në futbollin e kryeqytetit irlandez, duke i ngjitur shpejt shkallët në ekipet “zinxhir” të klubit të njohur vendas, Shamrok Rovers.

Por tani ai përballet me mundësinë e vazhdimit të karrierës së tij në një nga klubet më të njohura në botë, natyrisht nëse e bën gjithçka siç duhet në “San Siro”. I cilësuar si një lojtarët më premtues dhe të perspektivës në Irlandë këto vitet e fundit, Zefi është shndërruar këto muajt në emrin më të folur të futbollit në Dublin.

Vetëm 15 vjeç, ai u bë shënuesi më i ri në moshë në historinë e Ligës së Irlandës, kur realizoi për Shamrok Rovers ndaj Longford Taunit në shtator të vitit të shkuar. Pasi erdhi nga klubi i tij i parë, “St Kevin’s Bojs” në shkurt të 2019-ës, futbollisti i mitur i ka kaluar me shpejtësi të gjitha ekipet zinxhir të klubit 28-herë “kampion” dhe 15 herë fitues të Kupës së Irlandës, duke luajtur fillimisht për skuadrën e Nën-15, Nën-17′ dhe Nën-19-vjeçarëve, përpara se të arrinte në nivelin e të rriturve.

I aktivizuar si lojtar krahu, Zefi ka si armë të fortë të tij shpejtësinë, aftësinë e natyrshme për të zotëruar topin dhe një nuhatje të fortë për portën. Në fakt, kreu i Akademisë së Shamrok Rover, Shejn Robinson, e ka shpjeguar më së miri se pse futbollisti i përfaqësueseve të moshave të Irlandës bie kaq shpejt në sy.

“Kevini është lloji i lojtarit që të tërheq lehtësisht vëmendjen, sepse ai e shijon 100% kontrollin e topit, – thotë ai, duke vijuar: “Ai ka një ekuilibër mbresëlënës dhe e përdor shumë mirë trupin për të mbrojtur topin. Ai ka punuar shumë për ta rritur lojën e tij gjatë këtyre viteve të fundit dhe e meriton gjithçka ka arritur, duke marshuar nga Nën-15-vjeçarët, tek Nën-19-vjeçarët dhe deri në Divizionin e parë.” Në fakt, një transferim i tillë kur është vetëm 16 vjeç, do të ishte një sfidë e madhe për shumë adoleshentë. Por Zefi e ka provuar sadopak shijen e zikaltërve dhe flet pak italisht.

“Shkova në Milano në shkurt dhe qëndrova atje për një muaj”, – shpjegon shqiptaro-irlandezi, duke vijuar: “Thjesht provova ndjesinë e skuadrës, e pashë si ishte dhe më pëlqeu. Unë kam nisur të mësoj italisht, edhe sepse e dija pak përpara. Unë kam familjarë dhe të afërm në Itali dhe po e studioj gjuhën, kështu që mendoj se jam në rrugë të mbarë”.

Në fakt, edhe pse konsiderohet si e ardhmja e përfaqësueses së Irlandës, me Nën-17-vjeçarët e së cilës është grumbulluar së fundmi, Zefi ka edhe nënshtetësinë shqiptare dhe kjo e bën atë kandidat edhe për fanellën kuqezi. Madje burime pranë Federatës Shqiptare të futbollin kanë pohuar posaçërisht për RTSH Sport se emri i Kevin Zefit është diskutuar në sektorin e Kombëtareve të moshave, por nuk jepet informacion nëse ka patur kontakt me futbollistin apo familjen e tij dhe cili ka qenë reagimi i tyre. Sidoqoftë, ardhja tek Interi në Itali do ta sjellë talentin e lindur në Irlandë më pranë Shqipërisë dhe do ta bëjë më të lehtë një ftesë për të./rtsh/