Janë larguar nga Shkodra e Shqipëria por intelektualët e qytetit tonë kanë nisur një rrugëtim të suksesshëm edhe në vendet e tjera të Botës ku tashmë kanë zgjedhur të jetojnë me familjet e tyre. Njëri nga këto është edhe ish- futbollisti dhe ish- trajneri i Akademisë Vllaznia Alban Volumi.

Prej katër vitesh, ai tashmë ka nisur një jetë të re në Kanada, vend ku ka nisur tashmë të punojë si mësues i edukimit fizik në një shkollë të këtij vendi, por njëkohësisht bën edhe detyrën e trajnerit të moshave në një Akademi. Volumi ka pranuar në një intervistë për “Shkodra Sport” të flasë për momentet e bukura të karrierës së tij si futbollist e trajner.

“Nuk ka qenë e lehtë të arrij këtu ku jam. Dy vitet e para të jetës këtu në Kanada nëse do të ishte e mundur do t’i
kisha fshirë nga kujtesa sepse kanë qenë dy vite të vështira. Megjithatë, kur nis një jetë të re jashtë vendit,
kuptohet që vështirësi të tilla janë normale, por e rëndësishme është që tashmë çdo gjë ka shkuar në vendin e vet dhe
ai investim që kam bërë gjatë gjithë jetës si për shkollimin tij ashtu edhe për kualifikimet e tjera, po më ndihmojnë
të përshtatem më së miri me jetën këtu dhe në këto dy vitet e fundit, ia kam dalë.

Ndërkohë vazhdoj edhe punën si trajner në një Akademi ku drejtoi një ekip me djem 14-15 vjeçarë. Nuk ka qenë e vështirë të filloj punë këtu. Kanadaja është një vend multikultural, ku të mirëpresin, të hapin rrugë por duhet që të
dish gjuhën në rradhë të parë, pastaj të kesh kualifikimet e duhura. Ato kualifikime që unë kam patur në Shqipëri, i
kam konvertuar sipas rregullave këtu dhe me thënë të drejtën, deri tani jam i kënaqur me atë që kam arritur.

Kuptohet që në fillim thjesht doja të ambjentohesha dhe të nisja një jetë ashtu si duhet këtu, të sistemohesha në arsim dhe të konvertoja liçensën që kam patur si trajner futbolli. Ndoshta në të ardhmen do të merr liçensën “A” të
trajnerit dhe mbase bashkë me të, mund të më hapen rrugë të reja”- thotë Volumi në fillim të prononcimit të tij.

Gjatë kësaj periudhe të pandemisë, edhe për të ashtu si për të gjithë ne, kanë qenë momente të bukura për t’u rikthyer prapë në kohë dhe për të kaluar momentet e bukura të kaluara si sportist.

“Kam patur fatin të jem pjesë e Vllaznisë në ato vitet e bukura kur ajo ishte aty ku i takonte të ishte. Titulli
kampion i vitit 1998, kur ke parasysh edhe momentet e vështira që po kalonte Shqipëria në atë periudhë, na e bëri edhe më të bukur festën. Ndoshta nuk kemi zhvilluar lojëra spektakolare, por kemi patur një grup të mrekullueshëm ku secili prej nesh dha kontributin e tij tek ky sukses dhe padyshim që do më mbetet gjatë në mendje”- thotë Volumi sa i takon karrierës së tij si futbollist”- thotë ish- futbollisti kampion i kuqebluve.

Por më pas ka nisur atë si trajner, ku ka punuar për shumë vite me ekipet e moshave të Akademisë Vllaznia dhe gjatë të cilave nuk i kanë munguar edhe sukseset. “Kam filluar tek Akademia Vllaznia në vitin 2008 dhe kam punuar aty për shtatë vjet me rradhë. Kam kaluar nëpër duar shumë futbollistë të cilët sot luajnë me sukses nëpër ekipe të ndryshme të kategorisë së parë, por edhe asaj Superiore, madje edhe jashtë Shqipërisë. Unë falenderoj Vllazninë që më ka dhanë mundësinë të punoj aty, jam munduar të bëj më të mirën time në punën me futbollistët e rinj.

Më pas, në vitin 2015 kalove për një vit tek Akademia “AAS” ku dhe aty kam kaluar momente të mrekullueshme, me drejtuesa shumë të mirë dhe me lojtarë shumë të mirë. Unë kam punuar edhe tek Vllaznia, aty ku duhet të ketë futbollistë cilësorë më shumë se kudo tjetër, por edhe në ekipet e tjera ka lojtarë të mirë dhe prandaj mes tyre duhet të ketë një bashkëpunim të mirë, në bazë të kontratave apo me mënyra të tjera, për t’i ofruar tek Vllaznia”- thotë Volumi.

Momenti më i bukur

“Momenti më i lumtur i karrierës time ai kur dola kampion me Vllazninë në sezonin 1997-98 ndërsa si trajner dua të ndalem tek sukseset me një brez të mrekullueshëm lojtarësh, atë të Erald Çinarit me shokë, një brez që e kam stërvitur për 4 vjet me rradhë. Në fakt më vjen keq që jo i gjithë ai brez nuk qëndroi në Shkodër dhe ndoshta u ndoq një strategji e gabuar nga drejtuesit e Vllaznisë”.

Momenti më i keq

“Momenti më i keq? Viti i fundit para se të largohesha nga Shqipëria, atëherë kur mbylla bashkëpunimin me klubin Vllaznia. Nuk e di se çfarë ndryshoi në marëdhëniet e mia me drejtuesit e këtij klubi, që çoi edhe në këtë divorc. Në fakt, ndoshta vërtetohet ajo thënia se kur një bashkëpunim zgjat shumë, vjen momenti edhe për t’u ndarë. Unë i kërkova drejtuesve që të vazhdoja punën duke drejtuar ekipin e të rinjve, por kjo mundësi nuk mu dha dhe për rrjedhojë, vendosa të largohem”
Gjergj KOLA