Presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi, në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Ora Sport, Albana Bejko, ka treguar rrugëtimin e tij drejt futbollit.

“Morëm një marrëveshje me kryetaren e bashkisë, bashkëpunimi, partneriteti, sponsorizimi,  me qëllimin e mirë për ta rritur futbollin dhe për ta çuar në ato nivele ku duhet të jetë ekipi i futbollit të Vllaznisë”, u shpreh ai.

Xhaferi tregoi se nuk ka qenë e lehtë të ndërmerrej një hap i tillë në një kohë vështirësish edhe për shkak të pandemisë së Covid-19.

“Absolutisht. Vendimi është sfidë në vetvete. Sepse periudha e pandemisë ka dëmtuar biznesin në përgjithësi, jo vetëm biznesin tim. Por siç e thashë edhe më përpara, ndoshta ishte një indicie e tifozëve, ishte edhe një gatishmëri e kryetares së bashkisë për të patur një marrëveshje të tillë dhe me pak sforco por me dëshirë të madhe arritëm të fillonim këtë rrugëtim.

Që me thënë të drejtën është një rrugëtim i vështirë por edhe i bukur. Shpresojmë të ecim në rrugën e mirë. Unë kam paraqit edhe një plan disa-vjeçar se si mund të kthehet Vllaznia në rrugën e suksesit. Shpresojmë dhe besojmë se do ecim në këtë rrugë”, vijoi sponsori kryesor i skuadrës shkodran.

Sa i përket skeptikëve, Xhaferi u shpreh: “Vllaznia është emër i madh. Është ekipi më i vjetër i Shqipërisë dhe normalisht 10-vjeçarin e fundit ka lëngu nga rezultatet e dobëta dhe vendi ku ishte nuk i përket. Unë i mirëkuptoj edhe skepticizmat e opinionit se ndoshta mungesa e një eksperience te pjesa e futbollit se eksperienca në sport nuk na mungon tashmë.

Por gjithmonë me qëllimin e mirë, me vullnetin e mirë, me stafin e duhur arritëm për një kohë të shkurtër të ndërtonim në skuadër me parametra më të mirë për të konkurruar denjësisht në kampionatin shqiptar”.