Ekipi shkodran i “Albania Xhudo Kodokan” i drejtuar nga mjeshtri Anton Shkoza, është shpallur fitues i turneut ndërkombëtar “Nënë Tereza” që u zhvillua ditën e djeshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Xhudistët shkodranë kanë arritur të zënë plot 9 vende të para në pesha dhe disiplina të ndryshme duke grumbulluar më shumë pikë se ekipi kroat i Dalmacisë që zuri vendin e dytë me 7 vende të para ndërsa në vend të tretë u rendit ekipi i Pejës së Kosovës me 5 vende të para.

Këto kanë qenë rezultatet e këtij turneu i cili u zhvillua me sukses dhe që edhe këtë edicion shënoi një pjesmarrje të madhe sportistësh dhe ekipesh nga vende të ndryshme të Ballkanit. Natyrisht që nuk është e lehtë të organizosh një aktivitet të tillë megjithatë mjeshtri Shkoza duke patur edhe ndihmën e Bashkisë Vau Dejës por dhe të Sportklub Vllaznia, ia ka dalë me sukses.Ai ka marrë falenderime nga të gjithë pjesmarrësit për mënyrën e organizimit dhe kjo natyrisht që është një sukses. Pa përmendur pastaj edhe suksesin në tapet ku xhudistët shkodranë kanë dominuar në disa pesha. Kështu vende të para kanë zënë pikërisht Kasandra Kovaçi, Xhensila Gjoka, Damian Çuni dhe Fabiona Hasani në kategorinë e grupmoshës 2001-2002. Për kadet, vend të parë ka zënë Reoland Vasia ndërsa në kategorinë juniorë dhe seniorë vende të para kanë zënë xhudistët Kristian Lleshi, Luigj Shkoza, Juli Marku dhe Ndoc Ndoci. Në këtë mënyrë xhudistët e Vllaznisë dhe ata të Vau Dejësit vazhdojnë të na dhurojnë trofe dhe medalje të tjera duke treguar se janë të barabartë me të gjithë sportistët e Ballkanit.
Gjergj KOLA