Portieri 18 vjeçar i Vllaznisë Alen Sherri të hënën do të udhëtojë drejt Italisë për një provë katërditore tek klubi i Romës. Një lajm shumë i mirë ky jo vetëm për këtë sportist por edhe për Akademinë Vllazninë që vazhdon të nxjerrë lojtarë cilësorë të cilët janë të kërkuar nga klube jashtë vendit. Fakti që Sherrit i ka ardhur kërkesa për t’u provuar tek një klub si Roma, natyrisht që është pritur mjaft mirë prej tij dhe këtë ai e ka shprehur edhe në një prononcim për shkodrasport.com kur ka thënë:

“Me të thanë të drejtën ishte një lajm shumë i gëzueshëm për mua për të shkuar në provë tek një ekip si Roma. Kjo besoj se është një ëndërr për të gjithë lojtarët, besoj se edhe për italianët dhe jo më për një lojtar shqiptar. Ka qenë një ftesë e papritur që ma dha menaxheri dhe prandaj jam teje mase i gëzuar”. Kuptohet që kjo është vetëm provë megjithatë vetë lojtari i cili në dhjetor të këtij viti do të mbushë 18 vjeç, tashmë shpreson të ketë edhe fat në paraqitjet e tij para stafit teknik të Romës në mënyrë që ata të japin OK-in e tyre për firmosjen e një kontrate profesioniste.”Ju siguroj se do të jap më të mirën për të bindur stafin teknik të Romës për vlerat e mia. Dua ta kaloj me sukses këtë provë sepse është një mundësi e cila të jepet vetëm njëherë në jetë dhe prandaj dua ta shfrytëzoj në maksimum”-vazhdon më pas portieri numër 2 i ekipit të parë të Vllaznisë. Paraqitjet e tij në fundin e sezonit të kaluar me këtë ekip apo dhe ndeshjet e mira që ka zhvilluar me kombëtaren U-19, duket se kanë qenë arsyet pse stafi i Romës, ka besuar tek ky lojtar për ta thirrur në provë. Sherri pranon se ka patur edhe oferta të tjera megjithatë zgjodhi Romën për emrin dhe historinë e saj prandaj shton: “Të dhënat e mira që kam, ecuria e mirë në kombëtare dhe me Vllazninë, kanë bërë që kem oferta edhe oferta të tjera megjithatë bashkë me menaxherin zgjodhëm Romën sepse ishet një ofertë shumë e mirë për mua”. Klubi i Romës i ka prerë edhe biletën e vajtjes dhe kthimit nga Italia teksa nesër në drekë, portieri i dalë nga Akademia Vllaznisë do të udhëtojë drejt Romës për t’u kthyer nga atje ditën e enjte, kuptohet me shpresën e madhe që të marrë OK-in e firmosjes së një kontrate të mundshme me këtë klub të Serisë A.Sherri është njëri nga sportistët e Akademisë Vllaznia që do shkëlqen kohët e fundit dhe jo më kot është pjesë e ekipeve kombëtare. Ashtu siç janë thirrur së fundi edhe Gurishta e Hakaj në kombëtaren U-23 ndërsa Hebaj, Rajçeviç, Fangaj dhe Arifi janë thirrur në kombëtaret U-19 për ndeshjet miqësore Shqipëri- Kosovë.
Gjergj KOLA