E ka patur trajner dhe falë punës me të, është shpallur disa herë kampion i vendit. Albert Marashi i detyrohet shumë Gëzim Memës, njeriu që u nda nga jeta një ditë më parë. Por përveçse si sportist, ka trashëguar prej tij edhe detyrën e kryetrajnerit të atletikës së Vllaznisë dhe këtë përgjegjësi të madhe, Marashi po mundohet ta mbajë siç duhet.

Trajneri aktual i ekipit shkodran është ndjerë keq për ndarjen nga jeta të trajnerit dhe profesorit të tij dhe në një prononcim për mediat, shprehet:

“Nuk gjej fjalë për dhimbjen e shkaktuar nga humbja e profesorit tonë, i cili ka qenë edhe një prind dhe edukator i shkëlqyer për të gjithë brezat.

Na edukoi me vlera, me vlerat e respektit dhe miqësisë me njëri- tjetrin, çka ne e ruajmë edhe tani. Kontributi i profesor Gëzimit në vite ka qenë i jashtëzakonshëm. Ka mbajtur postin e kryetrajnerit dhe ka meritën kryesore të ringritjes së atletikës shkodrane në nivele të larta.

Kjo u pasua nga rezultate dhe sportistë të jashtëzakonshëm, kampionë dhe rekordmenë në vite. Plus kësaj, ka qenë edhe një drejtues i shkëlqyer në Sportklub Vllaznia, ka qenë një vlerë e jashtëzakonshme për Shkodrën por edhe për gjithë Shqipërinë.

Sigurisht që do të mundohemi të ndjekim ritmin e tij, udhëzimet e tij dhe të ruajmë atë trashëgimi të lënë me një fanatizëm të madh”- ka thene Albert Marashi.
www.shkodrasport.com