Ndarja nga jeta e Gëzim Memës, ish- trajnerit të njohur të atletikës por edhe ish- drejtuesit të SK Vllaznia, është pritur me keqardhje nga i gjithë komuniteti i sportit shkodran dhe jo vetëm.

Një nga njerëzit më të afër në punë me të në tre dekadat e fundit ka qenë njeriu që ka punuar si inspektor pranë SK Vllaznia, Ismail Kombi. Ai ka shprehur ngushëllimet sot për humbjen e kolegut të tij duke thënë:

Me Gëzimin kemi qenë edhe mësues bashkë por edhe kemi punuar 28 vjet bashkë në Klubin Vllaznia. Ai është karakterizuar nga një vullnet i jashtëzakonshëm. Një punëtor që nuk ka njohur kurrë pushim, e gjithë dita i shkonte sa në punë, në stadium, punë- stadium.

Gëzim Mema ka qenë një seleksionues i shkëlqyer i shumë elementëve, i shumë atletëve që më vonë u bënë emra të mëdhenj të këtij sporti dhe kanë dalë pikërisht nga dora e tij.

Një njeri i mirë, vinte nga një familje shumë e mirë e vjetër shkodrane, një njeri shumë i dashur aq sa gjithmonë e kishte zakon që me këdo kur fliste, i thoshte “ta marsha”. Thjesht një njeri i jashtëzakonshëm.

Shkodra ka humbur një qytetar të nderuar, klubi Vllaznia një trajner të shkëlqyer dhe po ashtu edhe një drejtues të shkëlqyer. Zoti e pranoftë në paqe!”
Gjergj KOLA