Ditën e nesërme, Tërbuni do të luajë ndaj Lushnjës, ku do të ndeshet për ndeshjen e kthimit të turit të parë për llogari të Kupës së Shqipërisë. Trajneri i pukjanëve, Alert Alcani, nuk do t’i ketë të gjithë futbollistët në dispozicion për ndeshjen e nesërme ndaj lushnjarëve.

Megjithatë, ai nuk e humb besimin, edhe pse për Tërbunin, ndeshja e Kupës, nuk është në objektivat e tyre. Këtë e thotë edhe trajneri i pukjanëve gjatë deklaratës së dhënë për “Shkodra Sport”.

Në një intervistë për gazetën tonë, Alcani u shpreh se ekipi i tij është i përqëndruar më shumë tek ndeshjet e kampionatit, por theksoi se do të bëjnë çmos për ta fituar ndeshjen ndaj Lushnjës.

“Të them të drejtën, ndeshja e Kupës ndaj Lushnjës, nuk është në objektivat e mia. Arsyeja është sepse jemi të përqëndruar në kampionatit, por jemi edhe të cunguar me dëmtime. Gjithsesi, ne do të bëjmë çmos për ta fituar ndeshjen ndaj Lushnjës. Realisht, kemi shumë mungesa dhe shpresoj t’i kem për kampionat.

Me aq sa kam parë, ekipi i ka të gjithë mundësitë për ta përmbysur rezultatin ndaj Lushnjës, por siç e thashë edhe më lart, Kupa nuk është primare për ne. Besoj që do të ndryshojmë diçka në formacion dhe besoj që do të ketë vend për të parë. Ato që nuk kanë pasur mundësi për të treguar veten në kampionat, ta tregojnë në Kupë, pse jo.

Tërbuni më shumë i përqëndruar për ndeshjen e fundjavës ndaj Flamurtarit? Po, jemi të fokusuar te ndeshja ndaj Flamurtarit në Vlorë. Pas asaj ndeshje jo shumë të mirë ndaj Apolonisë, pres reagim dhe kam shumë besim që do dimë shumë shpejt të kthehemi në lojërat e bukura”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Tërbunit, Alert Alcani.
Maringlen ZHIVANI