Egnatia është përralla e bukur e këtij sezoni në Superiore. Ky ekip ndodhet në vendin e tretë në kampionat dhe nga ana tjetër ka shkuar në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Portieri Alen Sherri ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari. Sherri e vlerësoi këtë sezon të tijin si një nga më të mirët në karrierë.
“Kemi zhvilluar shumë ndeshje të bukura gjatë gjithë kampionatit, por ndaj Vllaznisë ishte më i rëndësishëm rezultati. Sekreti i mos pësimit të golit është gjithë ekipi, veçanërisht mbrojtja. Tani jemi të forcuar edhe në sulm, por mbrojtjen e kemi pasur gjithmonë të fortë.
Ky është sezoni i parë që unë jam i kënaqur me veten. Kur luan kundër ish-ekipit tënd nuk është çështje inati, por çështje sedre, që të besonin më shumë. Prandaj kam vetëm këtë lloj ndjenje të mirë”, tha Sherri.