Historia e futbollit shkodran në vite është shkruar nga emra të mëdhenj të cilët me kontributin e tyre janë munduar për ta lartësuar sa më shumë emrin e Vllaznisë dhe njëri prej atyre që ka lënë gjurmë në këtë drejtim, padyshim që është edhe Mjeshtri i Madh Selami Dani.

Po ndalemi sot tek ky personazh shumë i njohur sepse kjo është ditë e veçantë për të. Profesor Selami Dani feston 80 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Selami Dani ka lindur në Shkodër më 10 nëntor 1942 dhe që në moshë të re do të lidhej me futbollin, sportin të dashuroi shumë gjatë gjithë jetës së tij. Bëhet protagonist shumë shpejt me ekipin e parë të Vllaznisë, por më së shumti të gjithë do të kujtojnë datën 11 korrik të vitit 1965 kur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” do të luhej finalja e Kupës së Republikës në mes Vllaznisë dhe Skënderbeut.

Goditja e saktë e mjeshtrit Dani do të ishte e paevitueshme për portierin korçar Lara dhe topi përfundoi në rrjetë duke i dhënë fitoren 1-0 Vllaznisë dhe njëkohësisht të parën Kupë të Republikës në historinë e saj.

Në sezonin 1966-67 do të ishte pjesë e Partizanit teksa kryen periudhën e shërbimit ushtarak, ndërkohë që gjatë këtyre viteve do të ishte njëkohësisht edhe pjesë e ekipit tonë kombëtar.

Selami Dani do të ishte protagonist për Vllazninë edhe në ndeshjet ndërkombëtare pikërisht ato të Kupës Ballkanike në vitin 1967 kur shënoi ndaj skuadrës turke Gençlerbirligi në minutën e 78-të me kokë duke entuziasmuar pa masë 12 mijë spektatorët e pranishëm në “Vojo Kushi”.

Po ashtu edhe në ndaj Beroe të Bullgarisë më 24 dhjetor 1967 kur do të hapte rrugën e golave duke shënuar në pjesën e parë, për të ardhur tek tre golat e A.Memes, Rragamit  e Gjergjit, pra  4-0 për Vllazninë.

Karriera e tij në fakt do të mbyllej shpejt, ende pa mbushur 30 vjeç, pikërisht në fillimin e sezonit 1971-72, por profesor Selamia asnjëherë nuk u pendua për vendimin e marrë. Megjithatë do të vazhdonte të ishte gjithmonë pranë futbollit, fillimisht si trajner me ekipet e moshave të Vllaznisë duke afruar shumë talente pranë ekipit të parë, ndërkohë që pas viteve ’90 për disa kohë dha kontributin e tij edhe si sekretar i klubit.

Selami Dani mbetet një figurë shumë e respektuar në të gjithë opinionin sportiv shkodran e më gjerë. Shembulli i një sportisti model, i një njeriu për të cilin të gjithë kanë respekt. Pikërisht këto veçori të tij, kanë bërë që ai të marrë edhe nderimet e duhura nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta që e nderoi këtë vit me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Gjergj KOLA