Kur flasim per basketbollin shkodran, sigurisht qe emri i cili kurrsesi nuk mund te anashkalohet eshte ai i Muhamet Sokolit. Njeriut qe pikerisht sot mbush 92 vjeç dhe me kete rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite te tjera te lumtura!

Ai lindi më 8 maj 1931. Për arsye familjare shperngulet në Tiranë dhe fillimet e tij të para i ka në sportin e futbollit në vitin 1946, por shumë shpejt do të kalonte në sportin e basketbollit. Naim Pilku, një emër i njohur për çdo sportist, e ofron në klubin e basketbollit “17 Nëntori” ku fillon lojën e magjishme të basketbollit.

Në karrieren e tij sportive ka luajtur fillimisht me Tiranën, e më pas me Partizanin dhe Vllazninë. Pas viteve të kaluara si lojtar me plot 7 trofe të fituar, shërben për qytetin e Shkodrës si trajner i ekipeve të basketbollit për djem dhe vajza.

Një ndër pengjet më të mëdha që ka është titulli i humbur në Durrës në ndeshjen e fundit kunder ‘’17 Nëntorit ’’ për vetëm 1 pikë, ku Muhamet Sokoli ishte lojtar-trajner ku ky titull do t’i jepte Vllaznisë titullin e parë kampion kombëtar.

Në karrieren e tij sportive nuk mund të mungonte pjesëmarrja në ekipin kombëtar, ku vetë Sokoli kujton me nostalgji vitet në kombetare, dhe pengu i tij është humbja e ndeshjes finale së festivalit të Moskës. Për shumë vite ka edukuar breza në arsim, ku edhe aty jep kontributin e tij duke ndërtuar kendin sportiv në 14 shkolla ku ai ka punuar.

Për kontributin në sport nderohet më 27.10.1979 nga kuvendi popullor me medaljen ‘’Naim Frashëri’’ i klasit të parë.. Më 14.06.1993 nderohet me çmimin “Naim Frashëri” i klasit të dytë nga presidenti i Republikes së Shqipërisë në atë kohë, z. Sali Berisha. Më 23.02.2019 nderohet me çmimin ‘’Mjeshtër i Madh’’ nga presidenti i Republikes së Shqipërisë z. Ilir Meta.

Gjithashtu Muhamet Sokoli është një ndër tre mjeshtrat e parë të merituar të sportit të basketbollit në Shqipëri, së bashku me Fatmir Meken dhe Jorgji Koncen. Më 13.03.2009 nderohet me titullin ‘’Mirënjohja e qytetit’’ nga Bashkia Shkodër. Është nderuar me mirënjohje nga Federata Shqiptare e Basketbollit.
Gjergj KOLA