Sporti shkodran ka nxjerrë në vite shumë mjeshtra në shumë lloje sportesh dhe tek volejbolli, një prej atyre që kanë spikatur më shumë ka qenë padyshim Gjino (Luigjino) Mjeda. Ky personazh i njohur i volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, sot ka ditëlindjen. Feston 66 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast në emër të gazetës “Shkodra Sport” i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Po cila është karriera e Gjino Mjedës?

Ka lindur në Shkodër në vitin 14 maj 1957. Merret me volejbollin që fëmijë dhe arrin tek ekipi I parë në vitin 1973, vetëm 16 vjeç. Luan si shuter dhe spikat me të dhënat e tij që jo më kot, kishin rënë edhe në syrin e trajnerit të këtij ekipi.

Ka një përgatitjet të shkëlqyeshme fizike, dallohej për kërcyeshmërinë e tij të lartë dhe teknikën që zotëronte në lojë. Ka luajtur për 18 vite me rradhë me ekipin e Vllaznisë, deri në vitin 1990. Një rekord më vete ky për pozicionin e tij sepse do të luante në nivele të larta deri në fund të karrierës së tij.

Është fitues I tre kupave të Republikës në vitet 1985, 1988 dhe 1989 me ekipin e Vllaznisë. Xhino Mjeda është grumbulluar në kombëtare por për biografi të keqe nuk është lejuar të dalë jashtë Shqipërisë asnjë herë. Do të mbahet mend gjatë si një volejbollistët më të mirë jo vetëm të Shkodrës por të gjithë Shqipërisë.

Një vlerësim shumë të veçantë për të do të jepye pak kohë më parë pat dhënë volejbollisti i njohur vlonjat Todi Driza e cili e përshkruante kështu Gjino Mjedën: “Një volejbollist i përmasave europiane që sulmonte mbi çdo bllok. Mbaj mend ndeshjen Flamurtari- Kombëtarja e Maqedonisë në pallatin e sportit “Flamurtari” të Vlorës në vitin 1979 kur Xhinoja erdhi si përforcim për skuadrën tonë dhe ai me lojën e tij të shkëlqyer na dha fitoren historike 3-2.

Gjuante mbi bllokun tresh të maqedonasve në vijën fundore. Lumturi edhe për ne sepse Flamurtari fitoi ndaj kombëtares së Maqedonisë e cila vinte pas turneut që kishte zhvilluar në Poloni ku kishte arritur 11 fitore dhe në turneun që u zhvillua në Shqipëri i mundi të gjithë ekipet e tjera dhe vetëm Flamurtari e mundi. Dhe kjo ndodhi pikërisht për shkak të lojës së shkëlqyer të Gjino Mjedës. Një volejbollist fluturues. Mbi të gjitha, një djalë i rrallë”.

Gjini Mjeda është nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës dhe vërtetë e ka merituar sepse për volejbollin shqiptar ka qenë I MADH!
Gjergj KOLA