Një ditë e veçantë kjo e sotmja për boksin shkodran dhe atë shqiptar. Njëri prej personazheve më të rëndësishëm të tij, për të mos thënë më i rëndësishmi, trajneri Zef Gjoni, ka ditëlindjen. Ai mbush 76 vjeç dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai ka lindur më 12 janar të vitit të largët 1947 dhe në rininë e tij zgjedh të merret me boks, por ky sport në fillimin e viteve ’60 do të ndërpritej nga shteti i asaj kohe dhe për rrjedhojë Zefi do ta vazhdonte karrierën me basketbollin.

Ndërkohë pas viteve ’90 dhe me ndryshimin e sistemeve, ai bashkë me disa ish- sportistë të tjerë do të merrnin përsipër ringritjen e këtij sporti dhe formojnë Vllazninë. Atë Vllazni e cila për vite me rradhë ka fituar dhe po fiton çdo gjë dhe Zef Gjoni ka meritën e padiskutueshme për të gjithë këtë.

Sot Zef Gjoni mbush 76 vjeç. Shumë moshatarë të tij e kanë bezdi të dalin edhe në Pedonalen e Shkodrës por ai në fakt nuk mungon asnjëherë në stërvitje. Nga 365 ditët e një viti, në 300 prej tyre është e sigurtë se ai është në stërvitje. Shumëkush mund ta ketë akuzuar ndoshta se “është modeli i trajnerit të vjetër”.

Zef Gjoni dhe ekipi i boksit që drejton prej 30 vitesh, ka fituar 24 tituj kampion të vendit dhe 25 kupa. Në total 49 trofe të fituar nga ky ekip nën drejtimin e këtij trajneri por edhe të bashkëpunëtorëve të tij në vite. Si askush tjetër. Jo më kot, duhet të krenohemi me këtë ekip dhe me këtë trajner.

Në fakt nuk po shohim ndonjë trajner të ri që të punojë me të njëjtin pasion e përkushtim. Zef Gjonit nuk i vjen mirë asnjëherë kur i përmendim moshën. Ai ka dëshirë që të jetë edhe njëherë 54 vjeç sepse dëshiron t’i japë të tjera trofe e suksese Shkodrës së tij.

Atë që nuk arriti ta bëjë vetë në rini si boksier për shkak të ndërprerjes së këtij sporti në fillimin e viteve ’60, atë që nuk arriti ta çonte deri në fund as i vëllai i tij, i ndjeri Ndoc Gjoni, po e bën më së miri tashmë si trajner. Në Shqipëri nëse flet për boks që prej vitit 1991 e deri më sot, ka vetëm një emër të cilit mund t’i referohesh: Zef Gjoni.

Suksese të shumta me Vllazninë por edhe me kombëtaren shqiptare, teksa i ka dhënë vendit tonë edhe disa medalje në arënën ndërkombëtare, ndonëse me shumë pak mbështetje. Shkodra sidomos i detyrohet shumë këtij njeriu. Ai ka fituar 49 trofe të cila ia ka dhuruar këtij qyteti dhe Klubit Vllaznia.

Një shifër që vështirë se do të arrihet nga ndonjë tjetër. Megjithatë profesor Zefi nuk e ka ndër mend të ndalojë këtu. Ndonëse shpeshherë edhe i mërzitur ngaqë nuk ka vëmendjen e duhur nga instancat përkatëse e madje duke bërë edhe paralajmërime se do ta lërë Vllazninë, në fakt zemra i thotë të mos e bëjë këtë gjë.

Boksi shqiptar duhet të vazhdoje te flasë vetëm me gjuhën e shkodranëve dhe emrin e Vllaznisë. Dhe kështu do të ndodhë me shumë siguri derisa Zef Gjoni të jetë gjallë. Epoka pas tij, me siguri që nuk ka për të qenë e tillë, por nuk duhet të mendojmë për të sepse pikësëpari nuk e dimë edhe sa do të zgjasë “epoka e Zef Gjonit”. Ambicjet e tij janë edhe për shumë vite dhe shumë trofe të tjerë…
Gjergj KOLA