Altin Lala mendon se ndeshja mes Anglisë dhe Francës ka qenë finalja e këtij Botërori. Sipas tij, anglezët dhe francezët prodhuan një ndeshje të madhe dhe këtë mendim e shprehu në studion e “Qatar N’24” në “News 24” ku foli edhe për surprizat e këtij turneu.

“Brazili u eliminua nga Kroacia dhe në fund fare pastaj po ta shohim e merituan kroatët se luajtën ‘futboll burrash’. Kurse brazilianët luajtën si futbollistë plazhi, këtu ishte diferenca dhe në fund fare e merituan. Sot patëm përsëri surprizë me Marokun. Edhe Maroku luajti jashtëzakonisht, lanë shpirtin në fushë, të gjithë bashkë.

Në disa momente u duk sikur Maroku luante me 15 vetë se secili ndihmonte njëri-tjetrin dhe për Portugalinë ishte e vështirë të bënte kombinacionet para portës siç luajnë zakonisht. Patën shumë pak shanse dhe Maroku e meritoi ndeshjen dhe pak a shumë e merituan për atë që dhanë.

Në duelin e sotëm me anglezët , në pjesën e parë ishte Franca pak më mirë. Kishte lojë nga të dy anët, luftohej për çdo milimetër në fushë, por edhe Franca kaloi në avantazh dhe në pjesën e dytë e pashë Anglinë pak më para. Edhe ata do të sulmonin dhe ia arritën qëllimit. Goli i dytë i ndëshkoi se në atë fazë ishte Anglia më afër golit. Për mua sot ishte finalja e këtij Botërori”, tha Lala.