Erdenis Gurishta ishte pjesë e kombëtares në dy miqësoret kundër Italisë dhe Armenisë. Mbrojtësi nuk pati fatin që të zbriste në fushë dhe kjo solli disi pakënaqësi në opinionin e futbollit në Shkodër.

Për këtë ka komentuar edhe ish-kapiteni kuqeblu, Amarildo Belisha. Në një dalje televizive në Star Sport, ai ka theksuar se shpesh futbollistët shkodranë me dashje apo pa dashje lihen në hije.

Ish-mesfushori tha: “Të gjithë duhet të jenë krenarë kur veshin fanellën e kombëtares. Gurishta ka vite që ka ngritur nivelin e tij dhe patjetër që e meritonte të thirrej tek Shqipëria. Duhej madje edhe të aktivizohej sepse mu duk e çuditshme që nuk mori asnjë minutë. Me sa duket futbollistët shkodranë dhe të Vllaznisë cilësohen ende periferikë.

Të futen 4 futbollistë të Partizanit në lojë dhe asnjë i Vllaznisë sikur nuk shkon. Edhe në fillim kur Elvin Beqiri debutoi kundër Rusisë, nuk ishte projektuar si titullar sepse do luante një futbollist që aktivizohej tek Tirana.

Por këmbëngulja e të ndjerit, ish-president të Vllaznisë, Myftar Çela bëri që Beqiri të luante. Dhe jo vetëm, por duke qenë më i miri në fushë e më pas në vite ku nuk e lëshoi më vendin.

Duhet një dashamirësi tjetër dhe qasje tjetër ndaj futbollistëve shkodranë, që ndër vite kanë shkëlqyer me fanellën kuqezi”.
Endri ÇINARI