Bojkoti i klubeve shqiptare ka hyrë në javën e katërt të tij dhe ende nuk duket se ka ndonjë lëvizje nga ana e Qeverisë për plotësimin e kërkesave të klubeve. Në lidhje me këtë situatë ka folur edhe avokati i njohur dhe njëkohësisht analisti i futbollit Apollon Haxhi, i cili në një prononcim për TV1 Channel është shprehur:

“Bojkoti e dëmton futbollin shqiptar, e kam fjalën këtu për bojkotin si veprim. Mund të gjendeshin ndoshta forma të tjera për t’ia transmetuar Qeverisë kërkesat e klubeve dhe më pas, nëse Qeveria nuk do të reagonte, atëherë mund të bëhej ndonjë lëvizje më tepër.

Bojkoti për mendimin tim nuk është zgjidhja e duhur sepse duhen aktivitetet sportive, sepse dëmton jo vetëm faktin që sportdashësit nuk kanë se çfarë të ndjekin ngaqë është domosdoshmëri për tifozët në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë, por dëmton edhe vetë futbollistët., dëmton klubet”.

Ditët e fundit në media ka dalë ideja që Ministria mund ta shkrijë Federatën Shqiptare të Futbollit sepse këtë të drejtë ia jep ligji shqiptar. Por Haxhi mendon se shteti duhet të qëndrojë larg futbollit sepse ndryshe Shqipëria mund të marrë penalizime të rënda nga institucionet e futbollit europian dhe botëror.

“Federata është një organ që varet direkt nga UEFA dhe FIFA dhe duhet ta kenë të qartë të gjithë se kur shteti ndërhyn ndaj Federatave, ka një goditje të rëndë nga këto organizma.

Ka ndodhur edhe më parë një gjë e tillë që Ministria dhe Qeveria të ndërhyjnë në punët e futbollit, janë dënuar nga organizmat e futbollit dhe ata kanë bërë prapa-kthehu”- ka thënë analisti Haxhi./SHKODRA-SPORT.COM/