Teuta kërkon kthesën në kampionat nga Shkodra, teksa të dielën luan kundër Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 16:45. Pas kualifikimit në gjysmëfinalen e Kupës, situata te durrsakët është më e qetë tashmë. Ekipi ka kryer dje seancën stërvitore të radhës, teksa trajneri Renato Arapi ka pasur në dispozicion të gjithë grupin.

I vetmi lojtar që nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen në Shkodër është mesfushori Asion Daja, i cili u ndëshkua me të kuq ndaj Partizanit. Të premten në orën 10:00 ekipi zhvilloi stërvitje të karakterit tekniko-taktik në ambientet e aneksit të stadiumit “Niko Dovana”. Trajneri Arapi, bashkë me ndihmësit e tij, Hodo dhe Mile, për rreth 65 minuta punuan me ekipin fillimisht me ushtrime të ndryshme me dhe pa top.

Më pas iu la vendi taktikës, ku u provuan edhe lojtarët që mendohet se do ta nisin si titullarë në takimin ndaj Vllaznisë. Meraku i Arapit është mbrojtja. Sipas të gjitha gjasave, në transfertën e së dielës, formacioni i kampionëve do të jetë ky: Qirko në portë, Todorovksi, Qaqi, Ivanoviç dhe Kotobelli në mbrojtje, Aleksi, Avdyli dhe Akua në mesfushë, si dhe E.Vila, Hebaj e L.Vila në treshen e sulmit.

TRAJNERI – Përpara se të niste seanca e djeshme, Arapi foli para ekipit, duke u treguar lojtarëve për rëndësinë që ka sfida në Shkodër.

“Kjo javë është tepër e rëndësishme për të gjithë ne, ndaj duhet të jemi të mobilizuar në maksimum dhe të japim më të mirën në stërvitje për të vijuar me rezultate pozitive. Jemi në një fazë të rëndësishme të kampionatit dhe në Shkodër nuk duhet të gabojmë”, ka thënë para ekipit kreu i pankinës. Ai punoi shumë dhe me mbrojtjen, ndërsa kërkoi më tepër komunikim nga lojtarët e qendrës.