Java e 29-të e “Abissnet Superiore” ka konfirmuar superioritetin e Tiranës, “kapitullimin” e Dinamos, oshilacionet e Partizanit, forcën e Kastriotit dhe mungesën e fatit për Vlazninë për të marrë pikët e plota. Si gjithmonë, një analizë e plotë e të përhershmit, Shkëlqim Muça në studion e emisionit Rubrika Sportive në RTSH.

Tirana nuk përballohet– “Në këto momente është shumë e vështirë të luash me Tiranën, sepse nuk ka fare presion, luan lirshëm, ka edhe cilësi. Shënuan që në fillim, e bënë më të lehtë. Me ato pak raste që krijuan e mbyllën lojën, po respektojnë garën, ishte një fitore plotësisht e merituar”.

Dinamo e ka mbyllur me Superioren – “Po ta shikosh si lojë, Laçi ka rritje. Sulmuesi Adeleke është rritur shumë. Dinamo është përsëri në ato ujra, përsëri nuk ka ekuilibër. U mundua të bëjë diçka, por përsëri lënë shumë hapësira prapa. Është një skuadër e goditur psikologjikisht nga të gjitha drejtimet. Nuk duket si skuadër, po mbaron kampionati, është një skuadër e shpërndarë, mendoj se e ka mbyllur historinë me Superioren”.

Ecuria e Kastriotit – “Kastrioti në këtë periudhë ka arritur këtu me një lojë shumë impenjative, me një grup që luftojnë për njëri-tjetrin. Kanë shpirtin e garës, është një skuadër që po jep maksimumin në fushë. Bën lojën e tij, është agresiv, e di që ka disa armë në dorë dhe di ti përdorë. Skuadra gjithmonë është e impenjuar. Edhe Kukësi ka bërë lojën e tij, por Kastrioti ishte dhe me fat dhe ka fituar”.

Barazimi i Partizanit – “Eliminimi nga Kupa ka ndikuar te Partizani. Ka krijuar shumë oshilacione. Me Vllazninë luajti në minutat e para por më pas u fik. Më pas me Skënderbeun bënë volum loje, por ishin të ndikuar psikologjikisht. Skënderbeu bën lojën e tij, por krijon shumë pak. Duhet të luajë me mentalitet për të fituar ndeshjen, sepse i mungojnë pikët”.

Dy pikë të humbura për Vllazninë – “Vllaznia ka humbur dy pikë të rëndësishme, meritonte më shumë me atë që bëri në lojë. Pas ndeshjes me Partizanin ishte më e karikuar, ishte më mirë se Teuta, duhet ta kishte fituar këtë ndeshje. Teutës i duhej ajo pikë, nuk bëri më shumë se sa mori”.