Mund dhe duhet të ishte menaxhuar ndryshe rasti i golit të lënë nga Partizani. E kam fjalën për arbitrin dhe asistentët e tij. Së pari, kam dyshime nëse lojtari i Kukësit është dëmtuar vërtet sa për t’u rrëzuar ashtu në fushë. E kam parë disa herë përsëritje gjuajtjen e Çinarit dhe më duket se topi e ka goditur fillimisht në pjesën e jashtme të kofshës Taipin e mandej e ka prekur në dorë.

Më duket se, më tepër sesa një pamundësi fizike për të arritur te topi, lojtari i Kukësit është trembur nga rreziku për penallti në atë episod dhe më pas është shtrirë në fushë. Por, le ta marrim të mirëqenë që goditja ka qenë e fortë dhe në një pozicion delikat, duke e rrëzuar në tokë lojtarin.

Prapë, nuk ka asnjë shkelje të rregullores në golin e Muratajt të Partizanit. Veprimi i tij për të shënuar gol është fare normal dhe unë, po të isha arbitër në fushë, do të kisha lejuar lojën normalisht. Ajo me të cilën nuk pajtohem është sjellja e gjyqtarit dhe reagimi i Partizanit.

Një skuadër nuk ka të drejtë të përcaktojë me vetëdije të plotë se kur do ta pësojë golin duke mos luftuar në fushë. Kjo është kundër frymës së garës, madje edhe e dënueshme kur bëhet në mënyrë të organizuar.

Së dyti, përgjegjësia bie edhe mbi arbitrin e ndeshjes. Ai duhet të kishte qenë më i kujdesshëm dhe të mos lejonte që të shënohej goli i Kukësit në atë mënyrë, edhe nëse nuk e kuptoi atë që po bënte Partizani gjatë dy minutave ndërprerje të ndeshjes. Në momentin që nis topi nga mesi i fushës, sapo e sheh që lojtari i Kukësit driblon dy lojtarë me lehtësi, ai i bie bilbilit, ndërpret aksionin dhe thërret kapitenët duke i paralajmëruar.

Pas kësaj u jep karton të verdhë lojtarëve që qëndruan statikë dhe i paralajmëron me ndëshkim të rëndë nëse nuk sillen si duhet në fushë. Por, arbitri gaboi. Ashtu siç gabuan më pas edhe trajneri me kapitenin e Partizanit, që pranuan se e falën atë gol. Kjo, për mendimin tim, është e papranueshme.

E respektoj Dajën dhe mendoj se është një nga më të zotët, por ai vendim ishte i gabuar, edhe pse u bë nga dashamirësia për të treguar se janë korrektë. Jam absolutisht kundër situatave të tilla, madje mendoj se ato duhet të merren në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës.