Carlo Ancelotti e udhëhoqi Real Madridin drejt titullit të 15-të të Ligës së Kampionëve në histori të klubit, pasi fituan me rezultat 2-0 në finale ndaj Borussia Dortmundit.

Ani pse nuk ishte një natë e lehtë, veçanërisht në pjesën e parë, ‘Los Merengues’ ishin në gjendje të merrnin fitoren falë golave nga Dani Carvajal dhe Vinicius Jr.

Për më shumë, Ancelotti e zgjeroi rekordine tij si trajneri më i suksesshëm në histori të kësaj gare, duke e ngritur në qiell këtë trofe për herë të pestë. Trashëgimia e tij është e jashtëzakonshme dhe me ardhjen e Kylian Mbappe, ky numër mund të vazhdojë të rritet.

Sidoqoftë, triumfi i Real Madridit pati edhe një anë të hidhur për shkak të pensionimit të Toni Kroos. Mesfushori gjerman njoftoi se finalja e Ligës së Kampionëve do të ishte ndeshja e tij e fundit në nivel klubesh dhe se lamtumira e fundit do të jetë me Gjermaninë gjatë Euro 2024.

Përkundër kësaj, Carlo Ancelotti nuk po dorëzohet dhe në javët në vazhdim, mund të bëjë një përpjekje të fundit për ta bindur Toni Kroos që të qëndrojë. Italiani ka pranuar se ky është qëllimi i tij pas finales së ‘Wembley’.

A do ta anulojë Toni Kroos vendimin e tij për t’u pensionuar?

Pas finales së Ligës së Kampionëve, Carlo Ancelotti siguroi se Real Madridi do ta lë derën e hapur në rast se Toni Kroos ndryshon mendje dhe se ai mund të rikthehet për sezonin 2024/2025.

“I kam thënë Toni Kroos se ne jemi duke pritur për të në rast se ndryshon mendjen. I kam thënë atij se ne jemi duke e pritur atë (qesh). Unë jam mirënjohës për çdo gjë që ai ka bërë. Unë besoj se ai i ka dhënë fund në krye. Ai e kishte forcën për t’i dhënë fund. Ai është shumë i lumtur. Ai është një legjendë e këtij klubi. Të gjithë tifozët e falënderojnë për gjithçka që ai ka bërë”, ka thënë Ancelotti.

Tek Real Madridi mendojnë se në rast që Toni Kroos e fiton Euro 2024 me Gjermaninë, mesfushori mund të ndihet i lumtur dhe i motivuar që të vazhdojë të luajë futboll. Sidoqoftë, bazuar në fjalët e lojtarit, duket se ky është vendimi i tij përfundimtar./Telegrafi/