Gjeografia e futbollistëve shkodranë që luajnë jashtë Shqipërisë zgjerohet me një tjetër emër.

Behet fjalë për një 15 vjeçar i cili po luan me shumë sukses në Akademinë e klubit të mirënjohur grek Olimpiakos.

Ai është Andreas Ndoj. Një mesfushor i cili po spikat për aftësitë e tij jo vetëm tek ky ekip por edhe tek kombëtarja U-17 e Shqipërisë me të cilën është duke u grumbulluar ndonëse është në një datëlindje më të vogël.

E ardhmja e këtij futbollisti duket e sigurtë megjithatë ai ka ende shumë për të bërë nëse kërkon që emri i tij të bëhet edhe më shumë i njohur.

Origjina: Andreas Ndoj ka lindur më 2 shkurt 2003 në Athinë. Familja e tij kishte emigruar që në vitin 1998 nga Shkodra për në shtetin fqinj.

Ka nisur herët të merret futboll dhe padyshim që duke jetuar në kryeqytetin fqinj, dëshira ishte për t’u ingranuar tek Akademia e Olimpiakosit.

Ia del dhe gradualisht bind të gjithë drejtuesit e saj për vlerat që posedon.

Luan si mesfushor qendre por mund të akitivizohet me shhumë sukses edhe në pozicione të tjera, madje edhe në mbrojtje.

Shtatëlartësia e tij prej 1.85 m, padyshim që spikat për moshën që ka.

Tradita familjare: Nëse Adreas po merret me futboll, kjo nuk është krejt rastësi.

Babai i tij- Nesti, ka qenë portier në rininë e tij. Ka luajtur deri në vitin 1994 me ekipet zinxhir të Vllaznisë duke patur për trajner të mirënjohurin Fatmir Paçramin.

Ai është pjesë e një brezi futbollistësh bashkë me Vioresin Sinanin, Ilir Dibrën etj. Pasionin për futbollin ia ka transmetuar të birit dhe deri më tani është shumë i kënaqur për hapat që ka hedhur.

Vlerësimi. Me kombëtaren U-17, pjesë e së cilës është aktualisht Ndoj, siç dihet, zëvendëstrajner është shkodrani Elvin Beqiri.

Duke folur për “Shkodra Sport” në lidhje me këtë futbollist, ai ka dhënë një vlerësim të shkurtër duke thënë: “Jam njohur gjatë grumbullimeve të fundit me këtë futbollist dhe në pamje të parë të dhënat i ka shumë pozitive.

Luan si mesfushor organizator, është shumë teknik por ka një problem se është pak i ngathët e kjo është normale ngaqë është shtatëlartë. Nëse vazhdon të punojë fort, besoj se do të ketë një të ardhme të mirë”.

E ardhmja: Një tjetër futbollist shqiptar- Bullari, luan edhe ai me Akademinë e Olimpiakosit, me ndryshimin se është me ekipin U-17.

Ditën e sotme ka qarkulluar një lajm sikur Bullari është në dilemë se cilën kombëtare do të zgjedhë, Shqipërinë apo Greqinë.

Por për Andreas Ndojn, një dilemë e tillë nuk ekziston. Ai e ka zgjedhur tashmë fatin e tij.

Dëshiron të luajë vetëm për ngjyrat kuqezi. Tradita familjare ia thotë një gjë të tillë dhe padyshim që kjo është për t’u vlerësuar.
Gjergj KOLA