Ditët e fundit, pas dorëheqjes së administratorit Gjyrezi, janë shtuar zërat edhe për një dorëheqje të mundshme të anëtarëve aktualë të Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia.

Madje, grupi i specialistëve të thirrur nga kryetarja e Bashkisë ka bërë edhe propozimet për anëtarët e rinj të këtij Këshilli.

Megjithatë, përpara se ai të kalojë për miratim duhet pikësëpari të dorëhiqen ose të shkarkohen anëtarët aktualë të tij.

Kjo gjë deri më sot nuk ka ndodhur. Në pamje të parë është krijuar ideja se shkaktarët e rënies së Vllaznisë nga Superliga kanë qenë drejtuesit e saj, pra administratori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës.

Por ndërkohë, një nga anëtarët e këtij të fundit, pikërisht pedagogu i njohur Beniamin Naku në një prononcim të bërë ka dashur të sqarojë pozicionin e tij të deritanishëm, por pa theksuar se çfarë do të bëjë më tej.

“Ajo që desha të sqaroj është se unë kam qenë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të KF Vllaznia sh.a dhe ky nuk është Bord Drejtues.

Çka do të thotë se detyra jonë ka qenë kontrollimi i ligjshmërisë së vendimeve të marra nga administratori dhe njëkohësisht kontrolli financiar.

Këshilli Mbikëqyrës nuk e ka detyrë as të emërojë apo shkarkojë trajnerë e drejtorë sportivë, as të blejë dhe as të shesë futbollistë dhe as të kërkojë llogari nëse luajtën mirë në një ndeshje apo jo.

Pavarësisht kësaj, jam munduar ta bëjë me shumë përkushtim këtë detyrë që mu ngarkua.

Madje, pavarësisht se ligji për shoqëritë aksionere i jep të drejtën anëtarëve të Këshillit të paguhen me 10% të pagës së administratorit, i kam kërkuar Këshillit (që në konstituimin e tij) që të funksionojmë vullnetarisht (ide e përkrahur nga gjithë anëtarët e tij) në mënyrë që të mos rrisim barrën e buxhetit duke pasë parasysh edhe borxhet e krijuara ndër vite.

E thashë këtë për t’u treguar të gjithëve, se nuk kemi pasë asnjë interes financiar duke mbajtur atë pozicion.

Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe kam mbështetur maksimalisht stafet drejtuese dhe ekipin duke u gjendur pranë në situatat më të vështira që kanë kaluar.

Mendoj se në situatën e krijuar tashmë tek Vllaznia, duhet të ndërtohet një strategji e qartë në mënyrë që të dilet sa më parë nga gjendja e krijuar.

Në hartimin e kësaj strategjie duhet të mblidhen burimet më të mira njerëzore të fushës së sportit.

Kjo situatë kërkon qetësi dhe maturi në mënyrë që shumë shpejt Vllaznia të ringrihet dhe të jetë aty në vendin e merituar”- përfundon deklaratën e tij Beniamin Naku.

Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të klubit shkodran ka qenë gjithnjë shumë pranë skuadrës dhe në çdo diskutim apo analizë të bërë është munduar t’i gjendet pranë futbollistëve dhe stafit teknik, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga lojtarët në fushë në zbatimin e detyrave të ngarkuara.
© shkodrasport.com