Kombëtarja U-21 mposhti me rezultatin 3-2 në “Elbasan Arena” në miqësore Bjellorusinë në një ndeshje mjaft të bukur.

Kjo ishte fitorja e parë për kuqezinjtë pas pesë rezultatesh negative radhazi, 3 humbje dhe dy barazime.

Të besuarit e Alban Bushit, zhvilluan një ndeshje me dy tablo, duke e nisur keq ndeshjen, por e mbyllën në mënyrën më të mirë.

Duhet thene se tre futbolliste shkodrane e nisen si titullare kete ndeshje, dy lojtaret e Vllaznise Ardit Krymi dhe Erald Çinari si dhe mesfushori qe luan ne Belgjike Sebastian Spahiu.

Protagonisti absolut i takimit ishte Sahiti, i cili e nisi nga stoli dhe realizoi një dopietë.

Ndeshja nis me miqtë në sulm dhe pas 30’ minutash Bjellorusia kaloi në avantazh me anë të Fiadosau.

Ky fraksion u mbyll në barazim, pasi në minutën e fundit Shefiti, e dërgoi topin në rrjetë (45’).

Në fraksionin e dytë filloi edhe festivali i golave. Fillimisht Bushi kryen tre zëvendësime dhe lojtarët e ardhur nga stoli nuk zhgënjejnë.

Pas një kundërsulmi të shpejtë topi shkon te Sahiti, i cili pasi driblon bukur dy prej kundërshtarëve me një gjuajtje të bukur mposhti portierin duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.

Goli u jep zemër kuqezinjve që luajnë më mirë në këto minuta dhe i afrohen ndjeshëm golit.

Protagonisti absolut i ndeshjes është Sahiti, i cili i dërgoi shifrat në 3-1 duke realizuar një gol të shkëlqyer nga distanca.

Një minutë përpara fundit miqtë shënuan edhe golin e dytë me anë të Antileuski, i cili përfitoi pas një gabim në mbrojtjen e Kombëtares.

Edhe pse Bushi nuk kishte në dispozcion të gjithë lojtarët më të mirë arriti të marrë një fitore me vlerë të madhe për moralin e skuadrës, pasi humbjet e fundit kishin infektuar ambientin kuqezi.

Një element negativ në këtë miqësore ishte mungesa e tifozëve, edhe pse “Elbasan Arena”, është një stadium me kushte të shkëlqyera mbështetja e tifozëve ishte shumë e vakët, për të mos thënë nuk ekzistonte. /EDS/

Formacioni i Shqipërisë: Kastrati; Nuriu, Toli, Tafa, Bushaj; Krymi, Spahiu, Shabani, Seferi; Çinari, Shefiti.

Trajner: Alban Bushi