Trajneri i Vllaznisë së taekwondo, Elion Puka, ishte i ftuar në studion e “Sport Show” në TV1-Channel mbrëmjen e kaluar. Ai u ndal tek problematika e financave që ka shoqëruar ndër vite këtë ekip me sportistë mjaft të suksesshëm dhe me shumë trofe.
Në fjalët e tij, trajneri Puka ishte mjaft i ashpër, pasi sipas tij realisht situata është shumë e rëndë, duke kërkuar më tepër vëmendje dhe investime për një disiplinë të tillë sportive.
Ai u shpreh se kërkon mbështetjen e duhur nga Bashkia e Shkodrës, teksa theksoi se nëse nuk ndodh një gjë e tillë, trajneri Puka do të nxjerrë të gjithë emrat e atyre që kanë penguar financimin e Vllaznia taekwondo.
“Problemi më i madh si në çdo sport individual në Shkodër edhe tek taekwondo janë financat. Shumicën e aktiviteteve ne i bëjmë me shpenzime nga xhepi jonë dhe realisht është e rëndë.
Unë i kërkoj Bashkisë Shkodër të na mbështesë dhe të na përkrahë. Tani e 10-vite e vetmja mbështetje e Bashkisë tek ne, ka qenë 1-milionë lekë të vjetra dhe për këtë vit, akoma nuk dihet nëse ekipi i Vllaznia taekwondo është pjesë e buxhetit të Bashkisë apo jo.
Më vjen jashtëzakonisht keq që flas kështu, por duhet ta themi që Vllaznia taekwondo në Shkodër kërkon të marrë vetëm hakun e të rinjve tonë, sepse unë nuk kam nevojë. Unë ia dal vetëm pa askënd, por unë dëshiroj që për të rinjtë Bashkia të mundohet pak më tepër, sepse edhe këta janë pjesë e Shkodrës.
Ata kanë nevojë për shumë mbështetje. Cili sportist i imi rri këtu kur e sheh që nuk ka të ardhme? Unë i pari them të ikun nëse nuk ka mbështetje, nëse nuk ke si të vazhdosh, sepse është e vështirë.
Deri kur familja të vazhdojë dhe të nxjerrë lekë nga xhepi i tyre. Kam sportista që së bashku me prindërit e tyre që sa vite më kërkojnë llogari me të drejtë për mbështetjen e tyre. Kjo nuk është në dorë të Elionit. Elioni ka nxjerrë shumë sportista, por deri kur kështu? Më vjen shumë keq që flas kështu, por është e pamundur të vazhdohet një gjë e tillë.
Ju lutem, Bashkia Shkodër vendoseni dorën në zemër dhe në mendje, sepse kemi nevojë për mbështetje. Deri kur Vllaznia taekwondo të ecë me lekët nga xhepi i familjarëve tonë. Vllaznia taekwondo do të kërkojë të drejta çdo ditë e më shumë deri kur të realizohet për të marrë hakun si çdo sport tjetër.
Elioni nuk është i butë, është i urtë, por të kuptojnë diçka që tashmë do të fillojmë ta ngrejmë zërin. Kemi 150-sportista. Ne i plotësojmë të gjitha kriteret për të pasur mbështetjen, me masivitet dhe cilësi.
Unë kërkoj thjeshtë mbështetje për sportistët e mi. Ne kemi bërë kërkesa, por kemi pasur vetëm fjalë deri më tani. Nuk funksionon më kështu dhe nuk ka për të funksionuar më kështu.
Zyrtarisht, jemi ekip me NIPT dhe vendim gjykate, por që jemi i vetmi ekip në Shkodër me gjithë këto suksese që kemi arritur që nuk ka një mbështetje të duhur. Nuk ka një mbështetje me fakte, sepse jemi lodhur me fjalë të bukura, por boll më tani. Ne kërkojmë mbështetje.
Sportistët kërkojnë mbështetje dhe kemi vendosur me çdo kusht të marrim të drejtën tonë. Vetëm të marrim të drejtën tonë, sepse nuk kemi nevojë më për fjalë. Nëse është çështja vetëm për fjalë, u them të gjithëve kurseni fjalët, sepse nuk kemi nevojë për asnjë fjalë. Kemi nevojë vetëm për punë dhe për fakte.
Kemi bërë takime çdo herë. Shpresojmë te Kryetari i Bashkisë, Bardh Spahia, që realisht të na mbështesë tamam siç duhet. E vlerësoj dhe e rrespektoj shumë të them të drejtën.
Në fakt, duket që kur ka ardhur sikur kemi marrë një vëmendje pak më të madhe, por deri tani kemi qenë totalisht në hije dhe nuk e di absolutisht arsyen se pse. Imagjinoj diçka por që nuk dua ta them dhe nuk kam qejf.
Nëse nuk do të ketë mbështetje do t’i nxjerr të gjitha të palarat nga fillimi deri në fund me emra, me persona se kush janë ata që e kanë penguar Vllaznia taekwondo. Me emra do t’i nxjerr të gjithë një e nga një. Nuk kam zgjidhje tjetër”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Vllaznia taekwondo, Elion Puka.
Maringlen ZHIVANI