Vdekja e parakohshme e një miku, e një personi të njohur, e një njeriu që i ka dhënë diçka njerëzimit, bëhet edhe më e dhimbshme. E tillë mendoj se ka qenë ajo e Ardian Arrës një vit më parë. Titulli i këtij shkrimi- kujtim, ndoshta për shumëkënd është bombastik dhe i ekzagjeruar.

Por të më kuptoni, nuk kam ndër mend të krahasoj Maradonën e vërtetë me askënd në botë, por dua vetëm të vlerësoj Ardian Arrën sepse e meriton dhe prandaj e quaj “Maradona shqiptar”.

Kush e ka njohur atë, më shumë trajnerët Shyqyri Rreli, Xhod Shaqiri, Esat Rakiqi, futbollistët e viteve 1975-83, tifozët shkodranë, ne shokët e tij që luajtëm me të, prindërit e futbollistëve të tij dhe vetë ata që u pregatitën prej tij, janë të bindur se kam patur të drejtë në krahasimin që i kam bërë.

Në Shqipëri ku sporti i futbollit është më masivi, emrat e P. Panos, S. Halilit, A. Memës, S. Bizit, I. Çeços, M. Zhegës, I. Pernaskës, për të vazhduar me më të rinjtë, P. Dibra, H. Ballgjini, D. Bajaziti, E. Liçaj, K. Çipi, Rr. Taho, K. Majaci, F. Rragami, S. Demollari, A. Kola, A. Minga e shumë të tjerë, nuk do të harrohen kurrë. Por unë do të veçoja sidomos teknikën e arrirë e produktive të Ardian Arrës.

Ai luajti pak dhe e la futbollin për arsye shëndetësore dhe për këtë nuk arriti përmasat futbollistike që arrijnë të tjerët, por kualiteti i tij futbollistik, kalibri i tij bashkëkohor do të mbeten në mendjen dhe kujtesën e atyre që e panë, e atyre që e njohën.

Unë që po ju shkruaj, kam qenë një bashkëkohës i tij, jam stërvitur dhe kam luajtur me të, e kam njohur atë personalisht si në jetën civile dhe atë sportive. Jam specialist futbolli dhe fatkeqësisht s’kontribuoj për vendin tim. Do t’i përshkruaj Ardian Arrës aftësitë teknike të shkëlqyera, që brezi i futbollistëve të sotëm ta njohin atë dhe të mësojnë prej aftësive të tij. Por kush
ishte Ardian Arra?

Ai mbaroi shkollën e lartë të Akademisë së sporteve “Vojo Kushi” në vitin 1980. Ardian u përgatit dhe luajti për Shkëndinë që në vitin 1974. Stazhin studentor e bëri në Shkodër me Vllazninë në vitin 1975-76. Ai u kthye në Tiranë për të vazhduar studimet e larta dhe luajti futboll përsëri me Shkëndinë.

Në këto vite kemi qenë bashkë, kemi luajtur në të njëjtën skuadër dhe kemi qenë partner në stërvitje. Ardiani 20 vjeçar erdhi tek ne si njeri shumë i edukuar dhe njerëzor, me edukatë të shkëlqyer familjare dhe shoqërore, me klas të lartë futbollistik, teknik dhe fantazues i rrallë, lojtar i kombëtares Shpresa dhe kandidat për kombëtaren e madhe.

Ishim pikërisht ne shokët e tij ata që e vërtetuam më së miri shprehjen që doli më vonë për të: “Ardiani ishte i miri i shokëve dhe i keqi i vetes”.Në stërvitje dhe në ndeshje, ishte shembull, ishte fenomen dhe asnjë kundërshtar nuk mund ta përballonte por driblohej prej tij.

Ai kishte aftësi të shkëlqyera teknike, shikim periferik të përsosur, aftësi në taktikën individuale, sensin e të luajturit dhe vizionin në fushë. Ardiani në lojë të kuptonte menjëherë dhe ambjentohej shpejt me skuadrën, veti këto të rralla për një sportist.

Jam shumë i bindur se Ardian Arra ishte lojtari shqiptar më i kompletuar në bazë teknike të futbollit dhe një nga më të mirët në kontrollin e topit. Ai të ikte, të driblonte nga çdo pozicion. Ai njihte dhe bënte çdo lloj stopimi e marrje të topit si të vinte ai, përtokë apo nga ajri, përpara, nga anash, me kthim, me rrotullim, me kundërshtar apo pa të.

Deri në vitin 1976, mashtrimet me lëvizje të këmbëve në futbollin tonë nuk i njihte askush dhe Ardiani ishte i pari që i aplikoi  ato. Në qoftë se Ardiani impenjohej e mobilizohej maksimalisht në lojë, asnjë kundërshtar nuk mund ta mbante sepse ai improvizonte e të bënte mashtrime të papara e të paditura prej nesh. Të ishe teknik do të thoshte të ishe i zgjuar por të improvizosh gjëra të papara, do të thotë të ishe fenomen. I tillë ishte Ardian Arra.

Shokët e Shkëndisë që e kanë parë dhe kanë luajtur me të, të më korigjojnë nëse nuk them të vërtetën. Trajneri jonë Shyqyri Rreli para ndeshjes kur i jepte detyrat, i thoshte: “Ardian, ti je piktor i lirë, fantazo, bëj ç’të duash!” A nuk është ky një vlerësim aftësish që trajneri, skuadra, shokët i bënin.

Ilir Luarasi, portieri i kombëtares Shpresa, qysh në vitin 1977 në turneun ndërkombëtare të zhvilluar në Greqi, më ka thënë: “lojtar shqiptar që paraqiste klas të lartë futbollistik dhe që mund të luante me çdo skuadër të Ballkanit ishte vetëm Ardian Arra”. Mos të harrojmë se Ardiani qysh në vitin 1976 driblonte dhe përdorte topin me aq lehtësi dhe kualitet sa edhe tek lojtarët e skuadrës kombëtare sot nuk po e shikojmë.

Si specialist futbolli, uroj që brezi i ri sot duhet të stërvitet e të zhvillojë ato cilësi teknike që Ardian Arra kishte.
I paharruar qoftë kujtimi i “Maradonës shqiptar”- Ardian Arrës!
Ilir Meçe

(Autori ka qenë bashkëlojtar me Ardian Arrën tek Shkëndia në vitet ’70 dhe që sot jeton në Australi teksa e ka shkruar këtë letër enkas për të kujtuar mikun e tij me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta)