Prej vitesh Vllaznia nuk ka në skuadër një sulmues që mund t’i garantojë më shumë se 15 gola në sezon dhe kjo është një nga arsyet që shkodranët gjatë këtyre sezoneve të fundit kanë notuar gjithmonë në ujra të turbullta. Te kuqeblutë mungon një bomber i vërtetë dhe të gjithë kujtojnë me nostalgji kohët e Vioresin Sinanit, Hamdi Salihit dhe Xhevahir Sukajt. Pikërisht ky i fundit mund të rezultojë shpëtimi i Vllaznisë në këtë sezon të vështirë me skuadrën shkodrane që pas 16 javëve të para është në zonën e rënies nga kategoria dhe rrezikon ndjeshëm mbijetesën.

Sukaj për shkak të disa dëmtimeve ka gjetur pak hapësira te Partizani gjatë pjesës së parë të sezonit dhe po mendon seriozisht largimin nga të kuqtë. Vetë lojtari i cili në vitet e fundit e ka refuzuar në disa raste Vllazninë për shkak të problemeve financiare që po kalojnë kuqeblutë, në këto momente do t’a pranonte një rikthim të mundshëm te shkodranët, edhe pse 30-vjeçari do të shqyrtojë edhe ofertat që mund t’i vinë nga jashtë. Megjithatë sulmuesi në Shqipëri do të luante vetëm për skuadrën e zemrës me Sukajn është i gatshëm të ndihmojë Vllazninë me kontributin e tij në këtë moment shumë delikat dhe rikthimi i tij në “Loro Boriçi” tashmë nuk është më një utopi. Pas shumë viteve Vllaznia mund të rigjejë sërish goleadorin e saj.Sotir Kora