Armando Broja vazhdon sezonin e tij të shkëlqyer në akademinë e Çelsit, duke rezultuar përsëri mes futbollistëve më të spikatur të saj.

Sulmuesi i përfaqësueses Shpresa, ka qenë protagonist në fitoren 2-1 të Çelsit U23 ndaj Arsenalit, në derbin londinez, duke marrë një fitore me shumë rëndësi për të ruajtur vendin e parë në klasifikim.

“Topçinjtë” kaluan të parët në avantazh por ishte Broja ai i cili barazoi shifrat me një gjuajtje me kokë pas një goditje nga këndi duke i dhënë një sinjal të rëndësishëm ekipit të tij. Më pas, ishte Gilmur ai që shënoi golin e 2-1 që rezistoi deri në fund të sfidës dhe i dha fitoren Çelsit U23.

Për Brojën ky ishte goli i tretë me skuadrën U23 të Çelsit në këtë edicion, në të cilin ai ka filluar të shihet si titullar i saj edhe pse vetëm 19-vjeçar.

Falë paraqitjeve të mira që ka dhuruar deri tani, shumëkush mendon se Frenk Lampard duhet ta marrë në konsideratë si opsion edhe për ekipin e parë, pasi është një talent i padiskutueshëm dhe goli i sotëm ishte sinjali i radhës që sulmuesi shqiptar i dërgoi teknikut të bluve. /vipsport/