Armando Cungu ka nisur menjëherë nga puna te Laçi, aty ku rikthehet pas katër sezoneve. Si një trajner me eksperiencë tashmë, Cungut i duhet që të fusë bardhezinjtë në “shinat” e duhura dhe synimi është kthesa, duke filluar që nga ndeshja e radhës me Tiranën në kryeqytet. Në një intervistë që ka dhënë për “Supersport”, Armando Cungu ka pohuar:

“Respekti dhe dëshira janë gjithmonë maksimale, që nga momenti i parë që nisa të punoj te Laçi, ku fitova edhe trofe. Që atëherë kam mbetur dashamirës i këtij klubi, kjo edhe për korrektesën e drejtuesve, por edhe respektit nga ana e tifozëve. Kjo ishte arsyeja, që kur më erdhi kjo ofertë, nuk u mendova dy herë”, – tha Cungu.

Situata

“E kam ndjekur Laçin dhe kam parë që skuadra ka bërë ndeshje të mira, por fati nuk ka qenë në krahun e saj. Jam i bindur që mund të kishte marrë rezultate më të mira dhe më tepër pikë, por tani do të përqendrohem në aspektin psikologjik, pasi duhet të luajmë me qetësi dhe të synojmë të ngrihemi lart”, – tha ndër të tjera trajneri shkodran i rikthyer te kurbinasit.

Synimet

Armando Cungu, jo vetëm te Laçi, por edhe te Kukësi ka pasur synime madhore. Sipas tij, është ende herët për të folur për objektiva konkretë, pasi ndeshjet duhen marrë një e nga një. “Çdo trajner kërkon të arrijë suksese të mëdha dhe suksesi më i madh janë trofetë. Kjo dëshirë nuk mungon as te unë, as te drejtuesit dhe as te djemtë, por duhet të jemi realist dhe pragmatistë, duke menduar si të marrim sa më shumë pikë. Me kalimin e javëve, do të shohim më qartë se çfarë mund të arrijmë”, – u shpreh Cungu.

Tirana

Laçin dhe Cungun i pret një ndeshje e vështirë, me Tiranën, një ekip mjaft kualitativ dhe që synon që të rikthejë titullin. Armando Cungu thotë se edhe një pikë nuk është keq në këtë sfidë: “Është e vështirë të luash ndaj kujtdo, pasi kampionatin është forcuar dhe diferencat janë ngushtuar shumë. Nuk e di nëse kanë rënë skuadrat e mëdha, apo janë ngritur ato të voglat, por sot ndaj çdo kundërshtari në Superiore, është e vështirë.

Tirana është një emër për t’u respektuar si për atë që ka dhënë ndër vite, ashtu edhe për organikën që ka në dispozicion. Mundësitë për rezultat janë të shumta, por duhet të pranojmë se edhe një pikë në Tiranë, nuk do të ishte keq për ne”, – tha duke mbyllur intervistën e tij tekniku i ri i bardhezinjve, Armando Cungu.