Trajneri shkodran i Laçit Armando Cungu nuk i ka pritur mire kritikat apo menyren si e kane analizuar ndeshjen e play-out ne mes skuadres se tij dhe Flamurtarit e per kete arsye, gjate nje lidhje me emisionin “Elite” ka reaguar kunder tyre, ndonese pa emra, por eshte mesuar lehtesisht se per ke e ka patur.

“Kam dëgjuar disa individë me shumë vëmendje që pas ndeshjes me Flamurtarin që kanë thënë që Flamurtari e ka dominuar ndeshjen. Nuk e di me çfarë syri e shohin. Megjithatë, unë e di çfarë kanë bërë këta persona në futbollin shqiptar. Kështu që, nuk i marr shumë për bazë ato që thonë.

Laçi dominoi lojën në përgjithësi. Patjetër që, kishim oshilacionet tona në minuta të caktuara. Persona të ndryshëm që flasin nëpër studio televizive e kanë shumë kollaj të flasin nga karriget e ngrohta dhe për t’iu dhënë mend të tjerëve. Duhet të vijnë të provojnë se çfarë do të thotë të jesh trajner dhe të vendosen në këto pozita.

Në fakt, kur kanë qenë vetë në drejtim të skuadrave, nuk kanë qenë të zotët t’i japin mend askujt. Kjo është ajo problematika që ato duhet të kuptojnë se çfarë ndodh në fushën e lojës. Nuk mund ta pranoj kurrsesi se Flamurtari ishte më lart se Laçi. Nëse ka ndonjë person që konteston, atëherë nuk di çfarë të them.

Kam dëgjuar edhe një trajner pas ndeshjes së Laçit, në studion e MCN, i cili bën trajnerin në një ekip dhe vjen e jep mend pas gjysmë ore, gjë që është e papranueshme, e pamoralshme dhe joprofesionale. Gjithsesi, këto ndodhin në Shqipëri dhe jemi vendi i çudirave dhe duhet t’i pranojmë ato.

Nëse ka pasur problematika, ju bëj ftesë zotërinjve ta shohin ndeshjen në YouTube, të marrin letër e laps dhe të mbajnë shënime si ka shkuar ndeshja e ku kanë qenë problematikat. Unë nuk jam trajner Facebook-u dhe Instagram-i. Shoh punën time dhe merrem me atë që di të bëj.”
Maringlen ZHIVANI