Kanë investuar prej vitesh, derdhin miliona euro për skuadrat e tyre. Ndoshta investim pa asnjë përfitim, por që të “korrat” priten të vilen. Bëhet fjalë për presidentët e Superiores, të cilët disa janë “veteranë”, ndërsa të tjerë të rinj siç është Gaz Demi i Partizanit.

Në studion e emisionit “Pressing” në AbcNews të drejtuar nga Gerti Çarçani, presidenti Armand Duka i ka analizuar të gjithë. Ashtu siç janë ekipet të renditura në këtë edicion futbollistik, në të njëjtën linjë e nisi dhe kreu i FSHF-së analizën e tij. Nga presidenti Refik Halili e deri te Sinan Idrizi, i cili është në krye të Flamurtarit të vendit të fundit.

REFIK HALILI – “Se çfarë stature ka presidenti i Tiranës, ju dhe publiku e keni perceptimin. Çfarë mendoj unë në pozitat e presidentit të federatës apo të bashkëpunëtorit, Riti është njeri i komunikueshëm, njeri që vërtet emocionohet dhe do futbollin. A kam unë rezerva për mënyrën se si e menaxhon Tiranën? Patjetër që kam. Tani, duke qenë në vend të parë dhe ne jemi mësuar që fituesi nuk gjykohet. Nuk mund ta themi këtë.

Tirana mund të menaxhohet shumë më mirë, Tirana është një klub me resurse të jashtëzakonshme, duhet të ketë financa. Halili, që unë e kam dëgjuar me gojën time duke thënë se shiko kam hedhur lekë nga xhepi. Tirana nuk duhet të hedhë lek nga xhepi. Tirana ka mundësi që të bëjë futboll, të pretendojë vendin e parë, të dytë apo të tretë, sepse nuk mund të jesh i sigurt që del i pari, duke u menaxhuar më mirë. Është kryeqyteti i Shqipërisë, është klub emblematik, ëshët klub që çdo fëmijë në Tiranë do të shkojë të luajë me ta. Çfarë të themi më shumë! E ke lëndën e parë gati”.

SAFET GJICI – “Gjici është personash kompleks, është kryetar bashkie dhe së fundmi, mesa di unë, ka dhënë dorëheqjen si president i Kukësit. Është personazh i politikës, njeri i komunikueshëm. Për futbollin në Kukës ka kontribuar goxha. Nga një vend që pothuajse nuk ka qenë në hartën e futbollit, e ka futur në hartën e futbollit europian. Nuk mund ta mohojmë kontributin e tij.

ARDJAN TAKAJ – “Tanin e kam mik të vjetër, para se të vij në futboll, që nga biznesi. Ky bën shumë gjëra në jetë, bën biznes, ka bërë televizion, ka bërë shumë gjëra. Sipas meje gjëja që di të bëjë më mirë është futbolli. Edhe atij duket se i pëlqen. E bën me qejf”.

EDMOND HASANBELLIU – “Është më i vjetri presidenti në Superiore. E ka marrë drejtimin e Teutës që në vitin 1997. Ka mënyrën e tij të menaxhuarit. E ka mbajtur Teutën nga ai vit deri tani në nivele të kënaqshme. Besoj se kam konsensusin e të gjithëve, që në Durrës është fusha më e mirë në Shqipëri ku shkon e luan në qetësi maksimale dhe nuk ndjen asnjë presion.

Meritën e ka presidenti për të, ai e ka krijuar atë klimë. Janë klub i organizuar, kanë edhe akademinë e mirë. Mund të ketë edhe rezultate më të mira. Për luhatjet ka përgjegjësi edhe ai, duhet t’i motivojë. Të vish të mundësh Partizanin dhe të barazosh me Flamurtari, këtu duhet të jetë pak më agresiv”.

GAZMEND DEMI – “Gazi nuk është kaq i vjetër sa Mon Hasanbelliu, por e ka ngritur Partizanin nga momenti që ka ardhur. Mori titullin kampion pas 26 vitesh, klubi është i organizuar mirë. Po ndërton një realitet sportiv atje në periferi të Tiranës, me forcat e veta, me investimet e veta. Kështu që ka shumë kontribute pozitive në ngritjen e Partizanit. Ka pretenduar më shumë sivjet, nuk ka marrë atë që duhet të marrë”.

BESNIK KAPLLANAJ – “Beso nuk është vetëm, është bashkë me vëllanë. Madje janë të pesë vëllezërit dhe e kanë deklaruar që e drejtojnë klubin në mënyrë kolegjiale. Beso është ai më i ekspozuari. Në një lojj mënyrë, ngjan me Laçin, nga mënyra e menaxhimit. Nuk është e lehtë atje dhe të bësh skuadër pretendime. Ka goxha merita. Kanë qenë në Superiore shumicën e kohës, apo në të Parën duketentuar të ngjitet. Ka kontribut të madh në zhvillimin e futbollit”.

VOLTANA ADEMI – “Voltana është kryebashkiake, futbollin nuk e ka primar. Tani ka Suad Licin si administrator. Është munduar, për aq sa i takon në gjithë punët që ka, dhe i ka kushtuar goxha kohë Vllaznisë. Ka bërë investim më të madh se sa ka marrë. Vllaznia mund të shkojë më lart për numrin e futbollistëve që ka, dashurinë për futbollin. Kanë shpenzuar shumë dhe Voltana ka qenë person i përshirë. Kam shumë respekt për të”.

BEKIM HALILAJ – “Shumë i ri në futboll. Sot kam pasur një komunikim me të dhe mendon se i di të gjitha, aq sa sot i thashë: “Po ku e di ti që ishte penallti”. “Ou”- tha,- si se dinë”. Jo çdo gjë mund ta dish, me gjashtë muaj që ka ai në futboll. Mundohet dhe nuk mund të them opinione shumë, pasi tani së fundmi është te Luftëtari. Ka një gjë pozitive Luftëtari në përgjithësi, nuk e si nëse është meritë e presidenti tapo të tjerëve, mënyra se si sillet në garë edhe pse ka pak shanse të qëndrojë lart. Rezultati me Bylisin ëshët një respekt për lojën dhe duket se po mendojnë të ardhmen”.

SINAN IDRIZI – “Kam marrëdhënie shumë të mira privatisht. Për mua është një njeri që Vlora duhet gjetur një zgjidhje, sepse nuk është tamam president i Flamurtarit. I është dhënë në administrim klubi, me një marrëveshje që i mbaron këtë vit. Kjo mbase e ka penguar që të shpalosë më të mirën e vet në botën e futbollit. Duke qenë një njeri i suksesshëm në biznes dhe duke qenë një njeri që ka shpenzuar shumë, edhe pse këtë sezon ia ka varur pak, nëse do kishte sinergji më të mirë me pushtetin vendor, do ta ndihmonte më shumë Flamurtarin”.