
Kapiteni i Vllaznisë Elvin Beqiri edhe për një sezon tjetër do të jetë pjesë e Vllaznisë. Mbrojtësi 35 vjeçar ka arritur paraditen e sotme akordin me drejtuesit e klubit për të qenë sërish pjesë e kësaj skuadre. Palët kanë rënë dakord për anën financiare dhe tashmë mbetet hedhja e firmës në kontratë, një formalitet ky që do të kryhet ditën e hënë ose të martë. Në fakt, pikërisht ana financiare ka qenë ajo që e kishte shtyrë këtë marrëveshje. Beqiri kishte biseduar me administratorin Kalamishi para pak ditësh por nuk kishin rënë dakord për shumën që do përfitonte lojtari. Megjithatë, ata e kishin lënë që të bisedonin sërish dhe para pak çastesh është arritur akordi. Lajmi konfirmohet nga faqja zyrtare e klubit në të cilën thuhet: “Klubi i Futbollit Vllaznia bën të ditur se ka arritur akordin me futbollistin Elvin Beqiri për të qenë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ri. Mbetet vetëm hedhja e firmës në kontratë, gjë që do bëhet në ditët në vazhdim dhe pas tij, do vijnë edhe firmat e disa futbollistëve të tjerë me të cilët po negociohet”. Gjërat janë të qarta. Beqiri është mbajtur në skuadër jo vetëm në respekt të emrit dhe karrierës së tij por edhe sepse trajneri Zmijani e konsideron pjesë të rëndësishme të planeve të tij. Megjithatë, thuhet se përveç këtij futbollisti, për qendrën e mbrojtjes drejtuesit e skuadrës janë duke planifikuar të sjellin edhe dy futbollistë të tjerë dhe me to, mbrojtja mund të konsiderohet e blinduar.
www.shkodrasport.com