Vllaznia e nisi me këmbën e mbarë kampionatin, teksa mposhti në ndeshjen e parë Apoloninë me rezultatin 2-0. “Panorama Sport” ju sjell më poshtë pikantet nga ndeshja në “Loro Boriçi”:

* Shumë pak tifozë e kanë pasur mundësinë që të ishin pjesë e këtij takimi nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Realisht, interesimi ishte i madh për të gjetur një mundësi dhe për të qenë në shkallët e impiantit në Shkodër.

* Një flamur me stemën e Vllaznisë është vendosur në një prej pallateve ngjitur stadiumit, si për t’i dhënë një vlerë më shumë takimit dhe si tregues simbolik i mbështetjes që ekipi ka në qytet.

* Një pjesë e lojtarëve në dispozicion të të dyja ekipeve janë vendosur në shkallët e tribunës VIP.

* Brdariç ka kërkuar që lojtarët e tij të mos humbin asnjë sekondë. Ai është futur në fushë gjatë një momenti duke i dhënë djemve të tij një top për të nisur sa më shpejt aksionin.

* Pas 35 minutave lojë, tekniku Brdariç ka kërkuar më shumë ritëm nga të tijtë.

* Kërkon doktorin me ngut tekniku italian i Apolonisë në minutën e 50-të të takimit, pasi një nga të tijtë ndodhej i dëmtuar në gjysmëfushën shkodrane.

* Imami bën be për ta besuar gjyqtari anësor në momentin e faullit në minutën e 67-të kur edhe u ndëshkua me karton të verdhë.

* Brdariç i mbledh të gjithë në mesin e fushës në fund të takimit ku kanë thërritur emrin e Vllaznisë fituese.