Pas dështimit për mungesë të numrit të duhur të këshilltarëve në mbledhjen e planifikuar për më 30 mars, Asambleja e Përgjithshme e shoqërisë aksionare “Klubi i Futbollit Vllaznia” sh.a, do të rimblidhet sërish më 20 prill. Ky është njoftimi që ka shpërndarë ditën e sotme vetë klubi shkodran.Gjithçka është brenda ligjit sepse Asambleja duhej të mblidhej sërish brenda 30 ditësh dhe ky afat është respektuar.

Nga sa bëhet e ditur në faqen zyrtare të klubit, pikat e rendit të ditës do të jenë po të njëjtat. Ja njoftimi i plotë i bërë publik pasditen e sotme nga klubi Vllaznia:
“Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a bën të ditur se mbledhja e rradhës e Asamblesë së Përgjithshme të tij do të zhvillohet më datë 20 prill 2017, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Shkodër, mbledhje kjo që nis në orën 10.00. Mbledhja e kësaj Asambleje siç dihet është e shtyrë nga data 30.03.2017 për mungesë kuorumi dhe do të ketë të njëjtin rend ditë:
1. Miratimin e pasqyrave financiare të shoqërisë, të vitit 2014.
2. Miratimin e pasqyrave financiare të shoqërisë, të vitit 2015.
3. Emërimin e ekspertit kontabël të autorizuar dhe miratimin e skemës së shpërblimit.
4. Miratimin e nivelit të pagave të punonjësve të shoqërisë.
5. Miratimin e tarifave për nxënësit e Akademisë së Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a.
6. Miratimin e projekt buxhetit të shoqërisë për vitin 2017.
7. Miratimin e projekt statutit të shoqërisë KF Vllaznia sh.a.

© shkodrasport.com