Partizani në volejboll për meshkuj ka fituar sot në mbrëmje 3-2 ndaj Vllaznisë në gjysmëfinalen e dytë të play off-it, të luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Skuadra shkodrane, pas triumfit tri ditë më parë në kryeqytet, pati sot një shans të mirë për të eliminuar rivalët e Partizanit, që e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e parë. Por volejbollistët e trajnerit Kroqi dështuan në këtë mision, duke bërë që emri i ekipit finalist të vendoset pas tri ditësh, në gjysmëfinalen e tretë, që do të luhet në Tiranë.

Gjithsesi, edhe sfida e sotme tregoi se skuadrat janë rivale të denja të njëra-tjetrës, duke dueluar fort për çdo pikë dhe ndoshta fati i dha fitoren Partizanin, që arriti t’i mbijetojë eliminimit. Seti i parë është majft dramatik, me Vllazninë që udhëheq gjatë gjithë kohës, duke pranë fitimit të tij, por çuditërisht gabon në fund. Avantazhi 24-21 për shkodranët përmbyset nga Partizani, që në shtesë fiton 30-28. Por vendasit rikuperojnë në setin e dytë, ku kanë një avantazh të konsiderueshëm, luajnë mirë dhe fitojnë me diferencë 25-18. Mjaft i fortë edhe seti i tretë, me skuadrat që rivalizojnë për çdo pikë e ku herë udhëheq Vllaznia e herë Partizani. Por miqtë shkëputen në fund dhe fitojnë 25-23. Po kaq e bukur loja është edhe në setin e katërt, me barazime të shpeshta, por në fund shkodranët rikuperojnë dhe fitojnë 25-23. Barazim 2-2 dhe fituesi del në setin final, aty ku Partizani ka epërsi, shkëputet dhe fiton 15-10. Të kuqtë fitojnë krejt takimin 3-1 dhe barazojnë 1-1 serinë e ndeshjeve gjysmëfinale me Vllazninë.
© shkodrasport.com