Shumë zhurmë për asgjë. Kështu mund të konsiderohet zhurma e bërë gjatë gjithë kësaj periudhe për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të klubit të futbollit Vllaznia. Ndonëse në mbledhjen e sotme pati diskutime por edhe kundërshtime të punës së bërë, në fund të gjithë këshilltarët bashkiakë që kanë qenë të pranishëm në sallë, të majtë apo të djathtë, të qendrës apo të pavarur, kanë ngritur dorën duke miratuar gjashtë nga shtatë pikat e rendit të ditës. E fundit, ajo e miratimit të disa ndryshimeve në statut, është lënë për në mbledhjen e ardhshme. Në fakt, edhe kjo mbledhje ka qenë pranë dështimit ashtu si 20 ditë më parë, për shkak të mungesës së anëtarëve në sallë megjithatë pas disa minutash pritje, është bërë numri i duhur për të nisur mbledhjen dhe më pas çdo gjë ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar. Në fillim ka qenë administratori i klubit Astrit Gjyrezi ai që ka lexuar një raport të përgatitur për situatën në klub dhe më pas këshilltarët kanë bërë pyetjet dhe ngritur shqetësimet e tyre. Baza e këtyre diskutimeve ka qenë ajo se çfarë do të bëhet me të ardhmen e këtij klubi sepse Bashkia e ka të vështirë ta mbajë Vllazninë. Ka patur edhe kritika nga ana e këshilltarëve të veçantë për bilancin dhe gjëra të tjera megjithatë në fund, është dalë me vendimin e përbashkët se puna për rregullimin e detyrave të lëna nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, tashmë ka nisur dhe kjo duhet të vazhdojë në mënyrë që Vllaznia të funksionojë në bazë të të gjitha ligjeve në mënyrë sa më të rregullt pavarësisht se ka edhe mangësi ligjore në këtë drejtim. Kuptohet që një tjetër aspekt diskutimi ka qenë ai i humbjeve të mëdha në klub dhe kjo padyshim ka ardhur nga mungesa e të ardhurave nga stadiumi prej biletave dhe reklamave. Në fund, gjashtë pikat e rendit të ditës kanë marrë miratimin me shumicën e votave dhe çdo gjë është mbyllur ashtu si duhet. Kuptohet krejt ndryshe nga klima e krijuar ditët e fundit që fliste për “falimentim” apo “probleme të rënda” në funksionimin e klubit. Asambleja e sotme tregoi tjetër gjë dhe padyshim që kjo duhet vlerësuar. Natyrisht që në këtë mes kanë ndikuar edhe rezultatet e mira që janë duke arritur të gjitha ekipet e klubit Vllaznia.
© shkodrasport.com