Pas suksesit në “Kupën e Kalave” të zhvilluar në muajin mars, çiklisti i Vllaznisë Astrit Kronaj katër ditë më parë ka arritur të fitojë një tjetër kupë, atë të organizuar me rastin e festës së çlirimit të Tiranës. Duke folur në lidhje me këtë sukses të rradhës, fituesi i kësaj kupe është shprehur: “Ka qenë një garë shumë e fortë dhe në malore jemi shkëputur bashkë me të mirënjohurin Ylber Sefa duke mbërritur pastaj të parët në finish. Ka qenë një sukses i pritshëm sepse kemi punuar fort gjatë gjithë kësaj periudhe me shokët e ekipit dhe me trajnerin Leonat Kola që dua ta falenderoj për përkushtimim që tregon ndaj nesh”. Kjo ka qenë gara e fundit e vitit 2017, një vit që u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme për këtë ekip. Duke folur në lidhje me ecurinë gjatë vitit, Kronaj shton: “Kemi mbyllur një vit mëse të suksesshëm. Në 10 garat që janë organizuar nga Federata këtë vit, ne kemi fituar 9 prej tyre. Kjo tregon më së miri faktin se vendi i dytë nuk është për ne. Do të vazhdojmë të punojmë edhe më fort sepse tashmë kemi krijuar profilin tonë dhe në çdo garë që do të zhvillohet duhet të fitojmë patjetër sepse nuk na lejohet vendi i dytë. Kemi patur një mbështetje nga klubi Vllaznia dhe Bashkia Shkodër dhe shpresojmë që me rezultatet tona t’i kënaqim”.

© shkodrasport.com