Ditën e sotme në Elbasan është zhvilluar e para veprimtari sportive e Federatës Shqiptare të Atletikës për vitin 2018. Kjo veprimtari ka qenë kampionati kombëtar i sallave të mbyllura (që në fakt në vendin tonë zhvillohet në pistë të hapur). Rezultatet pozitive për atletët e Vllaznisë nuk kanë munguar as këtë herë.

Kështu, sipas informacioneve që na jep kryetrajneri Albert Marashi, shkodranët kanë arritur të fitojnë 4 disiplina sportive në këtë aktivitet si dhe të marrin kupën e sportistit më të mirë. Kështu, Ravio Rama ka zënë vendin e parë në garën e 60 metrave me pengesa.

Po ky sportist ka qenë shumë pranë vendit të parë edhe në garën e 60 metrave por pas një vendimi të diskutueshëm të gjyqtarisë, është renditur i dyti. Vend të parë ka zënë edhe atleti Franko Burraj me kohën 49″27.

Një kohë kjo shumë e mirë dhe shumë pranë rekordit të kësaj gare për salla të mbyllura. Nuk mund të mungonin as vendet e para në garat e kërcimeve. I mirënjohuri Izmir Smajlaj vetëm me një kërcim ka arritur të kapë distancën 7.60 m. Me këtë rezultat, me pikë olimpike, ai është shpallur edhe sportisti më i mirë i aktivitetit duke marrë edhe kupën përkatëse.

Ndërkohë në garën e kërcimit trehapësh, vend të parë ka zënë atleti tjetër i Vllaznisë Gledis Halluni që ka kërcyer 14.57 metra. Këta sportistë pritet të jenë edhe baza e ekipit kombëtar që do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik që do të zhvillohet më 17 shkurt në Stamboll të Turqisë.
© shkodrasport.com