Skuadra e Vllaznisë në sportin e atletikës për një javë zhvilloi një fazë përgatitore në Malin e Zi. Shkodranët për 7 ditë me radhë qëndruan në qytetin e Tivarit në shtetin fqinj për të zhvilluar stërvitjen. Në fakt kjo vitet e mëparshme është realizuar më herët por këtë vit pikërisht në këtë periudhë u arritën të sigurohen financat nga “Sport Klub Vllaznia” nga ku u mundësua përgatitja në Malin e Zi. U zgjodh shteti fqinj për shkak se ka kushte klimaterike më të favorshme për atletët si dhe mjedise të përshtatme për të realizuar një stërvitje të plotë. Në Shkodër këto mungojnë, siç është infrastruktura tejet e dobët apo mungesa e shtresës së tartanit në stadiumin “Loro Boriçi”, mungesa e bazës materiale e të tjera që duhen për të realizuar një stërvitje normale për atletët. Në këtë mënyrë ka disa vite që Vllaznia zgjedh Malin e Zi për fazën përgatitore intensive. Nga Vllaznia për një javë në Malin e Zi qëndruan atletët kampion të kuqebluve si dhe disa prej vendeve të dyta bashkë me trajnerët e atletikës. Nga sportistët në shtetin fqinj ishin atletët Elvedin Meti, Albert Marashi që ka edhe rolin e trajnerit, Izmir Smajlaj, Ardit Rrashi, Mario Shestani dhe Bajram Muça. Ndërkohë që bashkë me këto sportistë ishin edhe 3 trajnerët, Isak Bala, Vildan Tufi dhe Gëzim Mema të cilët fillimisht përcaktuan edhe programin stërvitor për 7 ditët e fazës përgatitore. Nga sa mësohet kushtet e stërvitjes në Malin e Zi ishin shumë më të mira se në Shkodër dhe sado pak përgatitja atje ka ndihmuar atletët të rriten për nga ana sportive e tyre. Vllaznia është skuadra kampione në fuqi si dhe fituese edhe e Kupës për meshkuj në këtë mënyrë edhe pse është shumë pak atletëve i është mundësuar stërvitja 7 ditore në Malin e Zi. Kjo u bë në kuadër edhe të garava Kombëtare e Ndërkombëtare ku shkodranët marrin pjesë. Fillimisht në janarin e vitit të ardhshëm janë garat dimërore nga ku një vit më parë Vllaznia ishte fituese ndërkohë që në vijim janë të tjerë evente të rëndësishme.