Bajern Mynih-Barcelona do jetë supersfida e jav ës së dytë në kompeticionin e yjeve, Liga e Kampioneve. Të dyja ekipet ndodhen në Grupin C, aty ku Interi dhe Viktoria Pilzeni janë të detyruara të durojnë sulmet e dy “përbindëshave”, të cilët e kanë treguar veten që në javën e parë. Bajerni mundi lehtësisht në transfertë Interin, me shifrat 0-2, me protagonist absolut Leroi Sanenë.

Nga pala katalanase, Barcelona dhuroi “Manitën” e parë këtë sezon në ndeshjet zyrtare ndaj modestëve të Pilzen me shifrat 5-1, aty ku Levandovski shënoi emrin me tregolëshin si heroi i ri në “Camp Nou”.

Edhe pse janë të “nxehta” ende emocionet e ndeshjeve të para, lojtarët e Bajernit nuk kanë duruar dhe janë hedhur menjëherë në sulm. Situata lidhet me ndeshjen e dt. 13 shtator, e cila do të rezervojë duel titanësh mes Bajernit dhe Barçës në mitikun gjerman “Allianz Arena”, në kuadër të xhiros së dytë të Champions-it.

Tomas Myler, Manuel Nojer, Leon Gorecka dhe Hasan Salihamixhiç u kanë uruar mirëseardhjen blaugranëve, meqenëse janë në pozitën e pritësit, pa harruar edhe një personazh shumë të rëndësishëm për historinë e klubit të tyre, me rekorde të ndryshme, Robert Levandovskin (i transferuar në merkaton e sapombyllur nga Bajern në drejtim të Barcelonës për shifrën e 45 milionë eurove).

MYLER: “Ndeshja ndaj Inter i përket së shkuarës, tani kam në mendje Barçën. Më vijnë një mori kujtimesh ndaj tyre në ndeshjet përballë tyre. Plus që kësaj radhe do të jetë më e bukur pasi do të takojë mikun tim Robert. Të dyja ekipet vijnë në formë dhe kjo është shenjë e mirë se çfarë përballje keni për të parë në Mynih”, pohoi 32-vjeçari.

Nojer: “Nuk e imagjinoj dot se çfarë atmosfere do të përjetoj të martën e ardhshme, aty ku dy ekipe me histori do të vazhdojnë të prodhojnë futboll të këndshëm për sytë, aq më tepër kur Leva do të na bashkohet sërish”.

Gorecka do të ndiqte të njëjtën linjë: “Të gjithë e dimë se kush është Barcelona dhe cilësitë e Levandovskit. Ndeshjet e mëdha të motivojnë akoma më shumë”. As Salihamixhiçi nuk mund t’i shpëtoj kësaj spiraleje magnetike: “Fillimisht e uroj Robertin për tregolëshin, i uroj sa më shumë fat në përballjen ndaj nesh”, përfundoi mjeshtri i transferimeve në kampin gjerman.