Partizani nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 ndaj Vllaznisë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë e luajtur sot në “Elbasan Arena”, nuk prodhoi fitues, por shkaktoi shumë polemika pasi Vllaznisë iu anullua goli me VAR në minutat e fundit.

Pas ndeshjes për mediat, foli edhe drejtori i Partizanit, Olsi Rama i cili e konsideroi si vendim të drejtë anullimin e golit pasi Aralica ka shkaktuar faull ndaj Masanga Matondo në momentin që kërcen për të goditur topin.

“Sulmuesi i Vllaznisë ka vënë dorën te Masanga për t’u ngritur, këtë e pashë me përsëritje. Që të jem korrekt kur ankohem për arbitrat. Por të mos e kisha parë si detaj, do të kisha thënë që ishte gol i rregullt. Mendoj se faulli ka qenë te Masanga, pastaj u mbetet arbitrave që ta interpretojnë.

Barazimi nuk kompromenton asgjë. E mira e Kupës është që janë dy ndeshje. E dinim që duhej të shkonim për të fituar me Vllazninë në Shkodër. E dimë që duhet ta bëjmë edhe në ndeshjen në kampionat. Ndaj normalisht nuk ndryshon asgjë.

Mbaj mend një herë e një kohë një ndeshje të Juventusit ndaj Bayern që thoshte Alegri dua të dalim 0-0. Por atëherë ishte rregulli i golit në fushë kundërshtare e tani nuk është më. Tani do të na duhet patjetër që në çdo situatë të gjejmë golin dhe duhet të kthejmë e gjejmë atë aromën e golit dhe të kthehemi fitues”, u shpreh Rama./NEWSPORT/