Edhe vetë pjestarët e ekipit të Vllaznisë në basketboll për meshkuj ndoshta nuk e besonin, por në ndeshjen e sotme ndaj Teutës janë treguar superiorë duke fituar me rezultatin 82-65. Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe është shoqëruar nga një dominim i kuqebluve.

Takimi ka nisur me rivalitet megjithatë perioda e parë do të mbyllej në shifrat 16-13 në favor të Vllaznisë e cila e ruajti këtë epërsi të ngushtë edhe në të dytën që mbyllet 16-15 dhe kësisoj ajo do të shkonte në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 4 pikësh me durrsakët.

Edhe perioda e tretë do të ishte thuajse e njëjtë dhe djemtë e drejtuar nga trajneri Bekteshi thjesht ruajnë epërsinë e vogël, madje e thellojnë edhe pak atë sepse ky 10 minutësh do të mbyllej 21-18 po në favorin e tyre.

Kur u duk se do të kishte rivalitet deri në fund, në fakt nuk do të ndodhte kështu sepse shkodranët e kanë dominuar periodën e katërt të cilët e fitojnë 29-19 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 82-65.

Ka shkëlqyer në këtë ndeshje Elian Memçaj i cili ka shënuar plot 29 pikë duke qenë dhe pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes, ndërsa ka spikatur edhe 18 vjeçari Veton Gjeçaj që shënoi 17 pië, ndërsa Redi Rakaj arriti të shënonte 14 pikë. Të tjerat janë shënuar nga amerikani Saab (6), Shabani (6), Bitri (5), Mbiarra (3) dhe Kuçi (2).

Pas 3 javësh kampionat, Vllaznia ka arritur të sigurojë 2 fitore dhe 1 humbje duke treguar se do të ketë më shumë ambicje se sezonin e kaluar dhe pas fitores së sotme ndaj Teutës, ky është një realitet./SHKODRA-SPORT.COM/