Opinion nga Dritan GJYREZI

Tek po dëgjoja të rejat sportive në “Sport Ekspres” më tërhoqi vëmendjen një lajm që s’doja ta besoja. Kombëtarja e Basketbollit nuk do të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare vitin që vjen. Nuk doja ta besoja, por ishte e vërtetë. M’u kujtua një vendim i çuditshëm nga koha e diktaturës kur Enver Hoxha në vitin 1976 ndaloi pjesëmarrjen e ekipeve shqiptare dhe të kombëtares në aktivitetet ndërkombëtare. Fillova të mendoj, mos vallë “Rilindja në sport” donte të kujtonte këtë pjesë të historisë?! Një vendim i çuditshëm I qeverisë në buxhetin më të madh të historisë ka shkurtuar
fondet e basketbollit nga 27 milionë të reja në 9 milionë të reja, duke mos lejuar kështu kombëtaren shqiptare të marrë pjesë në eliminatoret e Kampionatit Europian. Një vendim që ka ngjallur irritim në gjithë botën e sportit e për më tepër të sportdashësve të basketbollit. Një ëndërr që shuhet. Kur luaja me ekipet e moshave basketboll shpeshherë trajnerët na jepnin shembuj të lojtarëve të talentuar të ekipeve të rritur dhe të kombëtares që duhet që t’i merrnim si shembull, pasi ëndrra e çdo lojtari është të luash për ekipin e të rriturve dhe kombëtaren, por ky vendim shuan ëndrrën e çdo lojtari shqiptar. Në një kohë kur basketbolli shqiptar po shënonte rritje, kur konkurrenca mes ekipeve sa vinte e rritej, kur pallatet e sportit në ndeshjet Vllaznia – Tirana apo Vllaznia – Kamza Basket shënuan rekorde të reja tifozerie, kur Kombëtarja e U-16 po stërvitej nën tranjer të huaj për t’i siguruar të ardhme të sigurtë basketbollit shqiptar. Arsyeja e nxjerrë që nuk ka fonde më duket shumë qesharake, pasi të thuash që s’ka lekë, ndërkohë që paguhen 5 milion euro për të prishur një pallat me leje apo dhe shumë ndërtime të tjera nuk më duket një arsye e shëndoshë për të mos justifikuar e për më tepër që kjo ndodh nga një Kryeministër që u zgjodh me shpresa të mëdha për të investuar në sport si një ishsportist, ose më drejtë të themi si një ish-basketbollist. Një njeri i zgjedhur duhet të lobojë që fondet të jenë të disponueshme sepse ai është i zgjedhuri i të gjithëve dhe jo të fillojë me veprime të tilla për zhdukjen e flamurit kombëtar nga aktivitetet ndërkombëtare. Po aq fajtore është dhe Federata e Basketbollit, të cilët pavarësisht uljes së fondit, duhet të lobonin dhe të punonin për të siguar fondet e nevojshme për të kapërcyer situatën, pasi të gjithë e dimë që drejtuesit e kësaj Federate vijnë nga bota e biznesit. Duke shpresuar që kjo situate të ndryshojë sa më shpejt dhe ëndrra e çdo basketbollisti për të luajtur me kombëtaren të kthehet sa më shpejt në një realitet, që raste të tilla të turpit të mos ndodhin më. Urojmë suksese jo vetëm për basketbollin po për të gjithë sportin shqiptar në përgjithsi.