Pas basketbollit, duket se ditë të mira po vijnë edhe për volejbollin shkodran. Drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia dhe në veçanti falë interesimit të drejtorit Mark Kroqi, duket se po bëhet e mundur gjetja e një sponsori për ekipin e volejbollit të meshkujve. Ende nuk është zbuluar emri I këtij sponsori megjithatë e rëndësishme është që dikush ka shprehur interes për të investuar për këtë ekip I cili e ka mbyllur fazën e parë të kampionatit në vendin e parë në renditje. Natyrisht për ta mbajtur këtë vend deri në fund dhe për t’u shpallur kampion, duhen përforcime me lojtarë cilësorë.


Për rrjedhojë, pas garancisë financiare të dhënë nga sponsori në fjalë, drejtuesit e ekipit kanë bërë të mundur ardhjen e dy volejbollisteve malazeze mbrëmjen e së mërkurës në Shkodër. Ata kane zhvilluar seancën e parë stërvitore bashkë me pjesën tjetër të ekipit nën drejtimin e trajnerit Artan Kalaja dhe në ditët e ardhshme do shihet mundësia e firmosjes së kontratës me to. Nëse kjo ndodh, sigurisht që do ishin një përforcim I rëndësishëm për këtë ekip që do ketë një garë shumë të fortë në pjesën e mbetur të kampionatit me ekipet e Studentit dhe Tiranës. Studenti ditët e fundit po tenton të marrë dy volejbollistë të huaj, vetëm e vetëm që t’I marrë vendin e parë Vllaznisë dhe të shpallet ai kampion. Për këtë arsye, përforcimet e mundshme edhe I ekipit shkodran me sportistë cilësorë, do ta bënin edhe më të bukur garën dhe ajo që është më e rëndësishmja, rriten shanset që Vllaznia të sigurojë titullin e parë kampion në volejboll për meshkuj.
Gjergj KOLA